Kalatë e Porto-Palermos dhe Himarës mbeten të pandriçuara

Jo larg nga fshati Qeparo, mbi një ishull ngrihet një kala e gurtë në formë trekëndore. Buzë bregdetit shkëmbor të Detit Jon, ajo mban emrin e gjirit detar ku gjendet, Kalaja e Porto-Palermos. Një copë rruge e mbushur me gurë e ka kthyer gati në gadishull, duke lehtësuar hyrjen e vizitorëve.

Ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit XIX, fortesa ka pamje nga të gjitha anët. E ngritur me kujdes me gurë gëlqeror, turistët që kalojnë pragun e saj përshkojnë galeritë gati si ushtarët e pashait në të kaluarën. Nëse nuk mban me vete një dritë, jo vetëm që mund të humbasësh drejtimin, por zhytesh në terr.

Mungesa e sistemit të ndriçimit brenda kalasë shton vështirësitë për vizitimin e saj të plotë, ndërsa mungesa e ndriçimit të jashtëm fsheh këtë xhevahir të trashëgimisë në terrin e natës.

Kalaja është pjesë e rrjetit të biletarisë të Ministrisë së Kulturës. Nga viti 2015 deri në gusht të vitit 2021, Kalaja e Porto-Palermos është vizituar nga 145.668 vizitorë dhe nga shitja e biletave në 7 vitet e fundit mblodhi 15.415.300 lek ose rreth 126 mijë euro, sipas të dhënave që Media Amfora siguroi nga Ministria e Kulturës.

“Si mund të flasim për rritje të vizitorëve, kur në kala në pjesën e jashtme të saj mungon ende ndriçimi”, raportoi një specialiste e fushës së turizmit, me origjinë nga zona e Himarës, duke dashur t’i ruhej anonimati me qëllim mos ekspozimin e saj publik.

“Është për të ardhur keq se si kjo kala është lënë në mëshirë të fatit. Kalaja e Porto-Palermos është e shëndetshme vetë, nuk e kuptoj çfarë i kushton Ministrisë së Kulturës të investojë”, shtoi gruaja.

Në raportimin e saj përmes platformës “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” të Medias Amfora, renditeshin disa nga monumentet e kulturës të zonës që kishin mungesë mirëmbajtjeje dhe investimesh.

Problemet me të cilat përballet kjo kala e vogël e vendosur buzë bregdetit shkëmbor të jugut u konfirmuan edhe nga specialistët e trashëgimisë kulturore.

“Kalaja e Porto Palermos nuk ka ndriçim në pjesën e jashtme. Janë bërë disa herë kërkesa, por nuk është realizuar investim për këtë çështje”, tha për Median Amfora në kushtet e anonimatit një nga specialistët e trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës në jug të vendit.

Kalaja e Porto-Palermos u shpall monument kulture në vitin 1948 dhe dikur hapësirat e saj shërbenin për strehimin e garnizonit ushtarak mbrojtës, ndërsa në katin përdhes ndodhej burgu.

10 km nga aty gjendet qyteti i vjetër dhe Kalaja e Himarës. E ndërtuar mbi një kodër shkëmbore buzë kanioneve natyrale, kjo kala gjithashtu ofron një pamje panoramike të bregdetit.

Biletaria e kuruar me kujdes duket shumë më lart se niveli i investimeve. Megjithëse e banuar pjesërisht, infrastruktura e ndriçimit, tabelave informuese dhe hapësirave të tjera është amortizuar ndjeshëm.

Kalaja e Himarës sipas të dhënave që Media Amfora mori nga Ministria e Kulturës nga viti 2015 deri në gusht të këtij viti është vizituar nga 16.588 vizitorë dhe nga shitja e biletave në 7 vitet e fundit mblodhi 1.857.400 lek ose rreth 15 mijë euro.

Të dhënat e siguruara më herët nga Media Amfora tregojnë se ndërsa numri i vizitorëve dhe i parave të mbledhura nga biletat në kalatë dhe parqet arkeologjike të vendit ka ardhur në rritje, investimet në gjashtë vitet e fundit kanë qenë thuajse inekzistente ose janë mbuluar në pjesën më të madhe të tyre nga donacionet e huaja.

Gjithashtu vizitorët gjatë turit të tyre në kalatë dhe parqet arkeologjike në vend përballen me mungesën e ciceronëve që shpjegojnë mbi monumentet dhe historinë e tyre. Kalatë e tjera përgjatë jugut të vendit, si Kalaja e Sopotit (Borshit), ka pasur investime falë donatorëve, ndërsa një pjesë që shfrytëzohen nga subjektet private, si Kalaja e Lëkurësit në Sarandë, mbeten në dorë të vullnetit të privatit.

Në janar të vitit 2021 ministrja e kulturës, Elva Margariti, deklaroi se do të punohej për ndriçimin e 15 kalave në të gjithë Shqipërinë, por teksa në kalatë kryesore të vendit, si Berati apo Gjirokastra ky proces ka marrë rrugë, pjesa më e madhe e kalave sidomos atyre të vogla mbeten në terr. /amfora.al