
Johnny Depp dhe Amber Heard dhunonin njëri-tjetrin
Ish-terapistja e çiftit Johnny Depp dhe Amber Heard tha se dyshja abuzonin njëri-tjetrin gjatë muajve të fundit të martesës së tyre ‘të stuhishme’.
Videodëshimia e Dr. Laurel Anderson u luajt për juristët në ditën e tretë të gjyqit për shpifje prej 50 milion dollarësh në Virxhinia.
Johnny Depp e ka paditur ish-gruan e tij për një histori që ajo shkroi në të cilën e përshkroi veten si viktimë e dhunës në familje, ndërkohë që aktori mohon çdo abuzim.
Amber Heard paraqiti një kundërpadi prej 100 milionë dollarësh.
Në dëshminë e regjistruar në shkurt dhe të luajtur për juristët të enjten, zonja Anderson tha se e kishte parë çiftin e famshëm për disa seanca terapie në periudhën tetor – dhjetor 2015. Zonja Heard paraqiti kërkesën për divorc në maj 2016 vetëm pas 15 muajsh martesë.
Psikoterapistja përshkroi një dinamikë të paqëndrueshme mes çiftit, ku të dy shpesh largoheshin nga seancat mes debateve.
Në seancat pa praninë e Depp, terapistja Anderson tha se Amber tregonte sulmin fizik ndaj bashkëshortit të saj të atëhershëm. Në një rast Amber kishte shkuar në zyrën e terapisë me disa mavijosje të vogla në fytyrë, thuhet në videodëshmi.
Në më shumë se një rast Amber filloi ndërveprime të dhunshme në një përpjekje për të parandaluar largimin e Depp, tha zonja Anderson.
“Ishte një pikë krenarie për të, nëse ndihej e pa respektuar, të niste një zënkë,” u tha zonja Anderson anëtarëve të jurisë. “Nëse ai do ta linte atë për t’u de-përshkallëzuar nga përleshja, ajo do ta godiste për ta mbajtur atje, ajo preferonte të ishte në një luftë sesa ta largonte bashkëshortin e saj.”
Zonja Anderson tha se Depp shpesh ndërpritej nga Amber gjatë seancave të terapisë.
“Zonja Heard kishte një stil të të folurit si çekiç”, tha psikologia klinike. “Ajo ishte shumë e emocionuar. Zoti Depp kishte probleme të fliste me një ritëm të rrjedhshëm, sepse ndërpritej.”
Zonja Anderson dëshmoi për historinë familjare të dhunës në familje ku Johnny rrihej nga nëna, ndërsa Amber nga babai.
Gjyqi, që pritet të zgjasë të paktën gjashtë javë, po transmetohet drejtpërdrejt dhe do të përfshijë një numër dëshmitarësh të profilit të lartë, duke përfshirë James Franco, Paul Bettany dhe Elon Musk.