Jeremy Renner jashtë rrezikut pas aksidentit me borëpastruesen

Aktori Jeremy Renner, i njohur për filmat “Avengers” të Marvelit, qetësoi këtë javë fansat pas aksidentit të rëndë që pësoi natën e ndërrimit të viteve.

Renner postoi një foto në Instagram nga dhoma e një spitali në Nevada. Foton e shoqëroi me një falenderim për mesazhet e dërguara teksa shtoi se për momentin nuk kishte mundësi të shkruante apo fliste më gjatë.

Aktori 51-vjeçar u shtrua me urgjencë në spital pasi u përplas nga një fadromë borëpastruese.

Zyrtarët lokalë thanë të hënën se pas aksidentit aktori ishte në gjendje kritike, por të qëndrueshme.

Në vitin 2008 Renner u nominua për Oscar për interpretimin në filmin “The Hurt Locker”, i cili atë vit u vlerësua me Oscar si filmi më i mirë. Në vitin 2010 mori nominim tjetër si aktori më i mirë dytësor për interpretimin në “The Town”.

Pas këtyre vlerësimeve Renner interpetoi në “Mission: Impossible”, “Arrival” dhe “American Hustle”, ndërsa u përfshi me role të tjera edhe në projektet me super-heronj të Marvel.

Renner ka në pronësi një shtëpi në Washoe County, të Nevadas. Kjo zonë u përfshi nga stuhi të mëdha dëbore gjatë fundit të muajit dhjetor.

Sherifi i qarkut Washoe, Darin Balaam, tha të martën se Renner u përplas nga një fadromë borëpastruese pak pasi ky kishte dalë prej saj. Autoritetet thanë se aktori ishte munduar të nxirrte veturën nga dëbora e ngrirë.

Aksidenti ndodhi pak pasi Renner doli nga borëpastruesja për t’u komunikuar të afërmve që të provonin për të ndezur makinën. Mjeti i tonazhit të rëndë nisi të rrëshqasë dhe e zuri aktorin poshtë.

51-vjeçari pësoi lëndime të rënda në shtyllë kurrizore, por fatmirësisht ia doli mbanë dhe mbetet nën kujdesin mjekësor.