AlbanianEnglish

Japonia lehtëson masat për COVID-19 për t’i hapur rrugë turizmit

Japonia do t’i hapë tërësisht kufijtë e saj. Kryeministri Fumio Kishida njoftoi këtë javë se duke nisur nga muaji tetor vendi i tij do të lehtësojë kontrollet kufitare si masa kundër COVID-19.

Në një konferencë për shtyp, Kishida tha se nga 11 tetori Japonia do t’i bashkohet SHBA-ve për sa i përket udhëtimeve individuale duke i lehtësuar tejmase kontrollet.

Kështu pritet që në Japoni të rikthehet turizmi individual dhe udhëtimet e përkohshme me vende të cilat kanë një përqindje të caktuar të vaksinuarish për Covid-19.

Kishida tha gjithashtu se Japonia do të heqë kufirin ditor të turistëve të lejuar, i vendosur aktualisht në 50,000. Ky është një hap kyç në nxitjen e një rimëkëmbjeje në sektorin e turizmit të Japonisë, i cili është i etur të përfitojë nga zhvlerësimi i jenit në nivelin më të ulët të 25 viteve të fundit.

Japonia është një nga shtetet më të zhvilluara që ka mbajtur masat më të rrepta sa i takon pandemisë, duke bllokuar hyrjen e vizitorëve për dy vjet derisa filloi një rihapje graduale në muajin qershor.

Një pikë e madhe pengese deri më tani ka qenë këmbëngulja e Japonisë që vizitorët të marrin viza për të hyrë në vend dhe më pas t’u përmbahen turneve të planifikuara me paketa turistike të kufizuara.

Lobet e biznesit dhe kompanitë e udhëtimit i kanë kërkuar Japonisë që të lehtësojë kontrollet e saj kufitare shumë më shpejt, duke thënë se ata nuk ishin në hap me vendet e tjera kryesore me të cilat sipërmarrjet kanë bashkëpunime tregtare dhe mund të bëjnë që vendi të bjerë prapa ekonomikisht.

Monedha japoneze është dobësuar ndjeshëm duke shkuar në  145 jen për 1 dollar. Kjo shihet si avantazh për të thithur turistët e huaj, pasi kostoja e udhëtimit është më e lirë për ta.

You don't have permission to register