Japonia dhe Holanda kufizojnë tregtinë me Kinën

Japonia dhe Holanda do të kufizojnë eksportet e çipave gjysmëpërçues në Kinë.

Diçka e tillë sjell një goditje për Kinën e cila është shkëputur edhe nga tregu amerikan për eksportet e këtyre produkteve.

Lajmi është bërë i ditur nga Bloomberg dhe burimet kanë konfirmuar se Holanda do të ndalojë gjigantin ASML që të shesë makineri të cilat prodhojnë çipa të avancuar në Kinë.

Një hap të tillë do ta ndërmarrë edhe Japonia për sa i përket kompanisë Nikon.

Zëdhënësi i qeverisë Japoneze u shpreh se do të ndërmerren proceduarat e duhura duke u bazuar tek hapat rregullatorë që janë bërë nga SHBA dhe vendet e tjera.

Kryeministri holandez Mark Rutte ka thënë se pret të arrijë një marrëveshje me SHBA-në për kontrolle më të rrepta.

Burimet i kanë thënë Reuters se një marrëveshje mes zyrtarëve holandezë dhe amerikanë mund të arrihet deri në fund të muajit.

Çdo lëvizje nga Holanda dhe Japonia do të ishte një fitore diplomatike për presidentin e SHBA Joe Biden.

Administrata e tij njoftoi kufizime në aksesin e Pekinit në teknologjinë amerikane të prodhimit të çipave tetorin e kaluar.

*TiboNews