Janari me rritje të ndjeshme të numrit të turistëve në Shqipëri

Vijon rritja e numrit të turistëve të huaj që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë. Dhe duket se viti 2024 ka nisur me fluks të konsiderueshëm të vizitorëve.

Sipas shifrave zyrtare muaji janar ka shënuar një rritje me 30 % më shumë, e krahasuar kjo me numrin e turistëve të janarit të vitit 2023.

Vetëm gjatë muajit të kaluar, Shqipërinë e vizituan mbi 489,599 turistë të huaj, nga rreth 377 mijë që u regjistruan në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Ndërkaq gjatë dimrit ka rezultuar numër i madh vizitorësh të huaj, nëse i referohemi shifrave për dhjetorin 2023, në vendin tonë kanë hyrë mbi 616 mijë të huaj, me një rritje prej 57.6%, në raport me Dhjetorin e vitit 2022. Hyrjet kryesore kanë qenë nga vendet e Europës.

Sipas INSTAT të huajt që ishin në Shqipëri gjatë 2023-shit ishte mbi 10 milionë e 155 mijë, duke u rritur me 34,6%, në krahasim me vitin 2022.