Jamarbër Malltezi del para Gjykatës së Posaçme

Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi dolën përpara Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë. Seanca ishte përcaktuar në orën 13:30, por u shty për në 18:00, pasi në nisje avokatët mbrojtës të Malltezit dhe Bektashit kërkuan kohë që të njihen mirë me dosjen.

Në seancë u paraqit edhe avokati Genc Gjokutaj i cili iu prezantua përballë gjykatës si përfaqësuesi ligjor i ish-kryeministrit Sali Berisha, por nuk u pranua të merrte pjesë dhe u largua.

Në prononcim për mediat, Gjokutaj tha se për klientin e tij nuk ka seancë gjyqësore pasi vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar.

Ai e cilësoi vendimin të paligjshëm dhe si i tillë, theksoi se nuk mund të pranohet prej kryedemokratit.

I pyetur nëse do vijë Berisha në gjykatë, avokati u përgjigj: “Do pyesim zotin Berisha”.