Ja kur do të hapet për qytetarët Loti 2 i Unazës së Madhe

Punimet në lotin 2 të Unazës së Madhe, atë që lidh sheshin Shqiponja me Paskuqanin po vijojnë dhe kanë avancuar, ndërkohë që po punohet për sinjalistikën.
Sipas ARRSH, pritet që ky lot të jetë i hapur në muajin Maj të këtij viti. Loti 2 është mbi 2 kilometra dhe konsiderohet segmenti më i gjatë i Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas drejtuesve të ARRSH punimet kanë avancuar dhe deri më tani ka një ecuri prej rreth 85.7% të totalit të tyre. Dhe nëse bëhet një bilanc, rreth 50% e punimeve kanë përfunduar.

Në këtë aks rrugor janë ndërtuar një sërë veprash arti si dhe rrugë dytësore, të cilat e lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit. Ky projekt i cilësuar si i rëndësisë së veçantë, do sjellë jo vetëm lehtësi në qarkullim, por edhe përfitime ekonomike. Unaza e Madhe e kryeqytetit me një gjatësi prej 27 kilometrash, pritet të përfundojë plotësisht në Dhjetor 2024, duke e lidhur Tiranën me rrugët dalëse kombëtare dhe akset kryesore hyrëse. Deri tani projekti thuhet të ketë kapur një vlerë prej 373 milionë Eurosh.