Itali, ndërpritet linja hekurudhore Milano-Venecia

Pas një dimri jo të zakontë, Italia vazhdon të përballet me mot të keq.

Rrëshqitje të shumta dherash kanë goditur Ligurian, e cila ndodhet nën ujë, ndërsa në Veneto situata meteorologjike është përkeqësuar.

Për pasojë është pezulluar linja hekurudhore Milano-Venecia. Trafiku mbetet i pezulluar ndërmjet Vicenzës dhe Padovës për shkak të kushteve kritike të motit që po shkaktojnë rrezikun e përmbytjes së disa lumenjve.

Trenat me shpejtësi të lartë dhe Euronight mund të anulohen apo të ridrejtohen në rrugë alternative. Trenat rajonalë mund t’i nënshtrohen kufizimeve dhe anulimeve të rrugës, ndërsa trenat Frecciarossa të qarkullojnë në rrugë alternative, duke sjellë edhe vonesa.