
Ismet Shehu rrëfen historinë si emigrant në Britani, nga rruga me kamion tek dreka e Mbretëreshës
Kuzhinieri i njohur Ismet Shehu ka rrëfyer në një intervistë për Daily Mail se i ka shërbyer drekën Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II dhe Dukës së Edinburgut.
Vite më parë ai udhëtoi me kamion drejt Britanisë, pasi kaloi nëpër disa vende të Europës. Atje iu dha leja për të qëndruar, nga zyrtarët e Home Office që merren me trajtimin dhe çështjet e emigrantëve.
Teksa jetonte në Britani, vendosi të ndjekë një kurs universitar në hoteleri dhe kuzhinë dhe ishte në mesin e një grupi prej 5 studentësh që takuan mbretëreshën e ndjerë dhe bashkëshortin e saj gjatë festimeve të Jubileut të vitit 2012.
Ismeti, i cili tashmë është kthyer në Shqipëri dhe ka krijuar një zinxhir restorantesh në kryeqytetin Tiranë, ka treguar për MailOnline: “A mund ta imagjinoni? Një djalë i varfër nga fshati duke i shërbyer drekën Mbretëreshës së Anglisë? Ishte një nder i madh për mua dhe të gjitha këto ndodhën vetëm disa vjet pasi u fsheha në pjesën e pasme të një kamioni që më dërgoi në Britani. Ajo ishte përvoja më e frikshme e jetës sime.”
Ismeti ishte vetëm 17 vjeç kur u largua nga Shqipëria dhe u nis përmes Italisë për në qytetin francez të Lille, ku u bashkua me dhjetëra emigrantë të tjerë që kërkonin një rrugë për në Britani.
Shansi i tij erdhi përfundimisht kur një kamion me targa të Britanisë iu drejtua atij në një ndalesë kamioni, ai u zvarrit poshtë dhe u fsheh në një hendek të vogël pranë rrotave, duke u përkulur.
Ismeti tha: “Gjithçka që dija ishte se kishte një numër regjistrimi britanik, kështu që u fsheha poshtë dhe kur filloi ecjen, mendoja vetëm për jetën time, duke e ditur se nëse do të lëshohesha dhe do të rrëzohesha në autostradë do të isha i vdekur. Kur arrita në Britani, hapa rimorkion me një thikë dhe u fsheha brenda. Kam qëndruar aty për më shumë se 4 orë. Telefonova kushëririn tim dhe ai më pyeti se ku isha, por nuk e kisha idenë kështu që më tha të merrja kodin postar se ku isha. Hyra në një dyqan dhe ia dhashë telefonin një personi dhe ai ia dha kodin postar kushëririt tim.Vetëm kur erdhi të më merrte më vonë, e kuptova se isha diku afër Mançesterit, por kushëriri im ishte në Londër. Isha i shqetësuar se dikush do të thoshte diçka ose do të thërriste policinë, por askush nuk e bëri dhe kështu u ndjeva më i sigurt.”
15 vjet më parë, fshehja në një kamion ishte pika e referimit e hyrjes në Britani për shumë emigrantë të paligjshëm, por kjo pati një kosto me trafikantët që kërkonin deri në 20,000 paund për t’u fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.
Ismeti tregon: “Unë nuk i kisha aq shumë para, por kisha dëgjuar nga miqtë dhe të tjerët që kishin hyrë në Britani se ishte e mundur të hyje në vend duke u fshehur poshtë dhe pastaj duke u futur në rimorkio. Kur e mendoj tani, them se pata shumë fat që nuk u vrava dhe falënderoj Zotin që nuk humba jetën, por hyrja në Britani më dha mundësinë të filloja një jetë të re dhe të bëj disa para për veten si dhe familjen time.”
Ismeti gjeti punë fillimisht në kantieret e ndërtimit duke fituar 7 paund në orë para se të gjente një punë si pjatalarës në restorante dhe lokale të ndryshme të Londrës, para se përfundimisht t’i dorëzohej Home Office.
“Kisha vendosur që doja të qëndroja më gjatë dhe isha i interesuar të bëja disa kurse gatimi sepse më pëlqente të punoja në bare dhe restorante, ishte e vështirë dhe e lodhshme, por isha i lumtur nga ideja që po fitoja para. Kushëriri im më sugjeroi të shkoja të regjistrohesha dhe të merrja lejen për të qëndruar në mënyrë që të mos shikoja i frikësuar gjatë gjithë kohës dhe të shqetësohesha për policinë ose zyrtarë të emigracionit që më kërkonin. Shkova në Home Office dhe qëndrova atje për 15 orë dhe më bënë shumë pyetje se nga isha dhe si arrita, kështu që u thashë të vërtetën, se doja të përmirësoja veten dhe doja te punoja. Më morën shenjat e gishtave dhe më pas më thanë se mund të qëndroja në vend për pesë vjet. Kur më thanë këtë, nuk mund ta imagjinoni lumturinë time, isha shumë mirënjohës për mundësinë dhe e dija se mund të isha i sigurt për pesë vjet”.
Ismeti u regjistrua në një kurs për hoteleri në Universitetin e Londrës Perëndimore dhe pikërisht gjatë studimeve atje, pedagogët i dhanë mundësinë t’i shërbente mbretëreshës së ndjerë dhe Princit Philip një drekë kremtimi. Ai dhe katër të tjerët u dërguan në Pallatin Buckingham ku iu dha një induksion dhe informim nga stafi i Shtëpisë Mbretërore se si të silleshin me Madhërinë e Saj.
“Na u tha se duhej të ecnim mbrapa dhe të mos ia kthejmë kurrë shpinën dhe nuk duhet të themi asgjë nëse nuk na pyet vetë Mbretëresha ose Princi Filip. Mbaj mend që kur shërbyem drekën, ajo kërkoi një xhin me një ulli dhe Princi Philip vuri dorën mbi supin tim për të më falënderuar dhe për të thënë se kishte ngrënë një vakt të mirë”.
Por dreka për pak sa nuk përfundoi në fatkeqësi për Ismetin, pasi ai në një moment po ecte rejt mbretëreshës teksa ajo po ecte nëpër korridor.
“Po ecja, kur papritmas një ushtar erdhi drejt meje dhe më kapi duke më larguar. Ai më tha: ‘A je i çmendur? Këtu ka snajperë. Nuk mund të ecësh kështu para Mbretëreshës. Ai tha se ishte detyra e tij të mbronte Mbretëreshën dhe të sigurohej që asgjë të mos ndodhte dhe unë nuk duhej të ecja aty, por më pas situata u qetësua dhe më vonë bëmë shaka me njëri-tjetrin. Madje bëra edhe foto me të”.
Ismeti qëndroi në Britani duke punuar në restorante të ndryshme kryesore në Londër, duke përfshirë Brasserie Blanc dhe Compton Brasserie deri në vitin 2015 përpara se të vendoste të kthehej në Shqipëri dhe të krijonte zinxhirin e tij të restoranteve dhe sot eshte kthyer në një biznesmen të suksesshëm në fushën e kulinarisë.
Tashmë i martuar dhe me një vajzë, ai thotë: “Qëndrova dhe punova deri në pikën ku kuptova dhe ndjeja se më mungonte shumë familja ime. Jetova në Britani për gati dhjetë vjet dhe doja të kthehesha. Më kishin dhënë leje për të qëndruar dhe mund të kisha marrë edhe qëndrim të përhershëm, por edhe dashuria për vendin tim e largësia ishin të tepërta për mua t’i përballoja. U ktheva në Tiranë dhe me ndihmën e familjes sime dhe me paratë që kisha bërë në Angli bleva një vend në qendër të Tiranës i cili u bë shumë i njohur dhe përfundova duke ngritur dy restorante të tjera që janë shumë të njohura. Madje, ambasadorin britanik në Shqipëri e kam patur për një drekë dhe i tregova historinë time.Jam shumë mirënjohës për shanset që pata në Angli dhe edhe pse rrezikova jetën time për të arritur atje, e di që nëse nuk do të kisha bërë, nuk do të isha aq i suksesshëm sa jam sot. Nëse nuk do të kisha hipur në atë kamion..”
*Tibo News