
Ishulli i Qipros, ndarja dhe anëtarësimi me kusht në BE
I vendosur në një pozicion strategjik në lindje të Mesdheut, ishulli i Qipros u nda në dy shtete në vitin 1974.
Turqia pushtoi verilindjen duke pretenduar mbrojtjen e minoritetit turk pas grushtit ushtarak të shtetit nga Greqia.
Menjëherë rreth 200 mijë persona u shpërngulën nga shtëpitë e tyre. Qipriotët grekë u shpërngulën nga verilindja në jugperëndim, ndërsa ata turq nga jugperëndimi në verilindje.
Ditët e sotme ishulli ka rreth 1 milion banorë dhe mbetet i ndarë. Republika e Qipros njihet nga komuniteti ndërkombëtar dhe është vend anëtar i Bashkimit Europian, ndërsa republika turke e Qipros së Veriut njihet vetëm nga Ankaraja.
OKB ka propozuar si zgjidhje të çështjes së Qipros bashkimin në një shtet federativ, por që pengesë kryesore ka pasur çështjen e pronave. Në verilindje, shumica e tokave të qipriotëve grekë, janë zënë nga qipriotët turq, të ardhur nga Turqia, apo të huaj që i kanë blerë ato me kalimin e viteve.
Situata është e ngjashme edhe në jugperëndim me pronat turke duke nxitur një ngërç më vete. Propozimi parashikonte që disa nga këto prona t’u ktheheshin ish-pronarëve.
Pas 30 vitesh negociata, propozimi i OKB-së u hodh në referendum. Veriu votoi “pro” ndërsa jugperëndimi “kundër” me argumentin se propozimi favorizonte më shumë turqit.
Qipro u pranua në BE si shtet i plotë, por legjislacioni europian është i pezulluar për zonën e verilindjes deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP.