
“Ishte si një film, dritat u fikën”, aksident tragjik në Holandë
Holanda është tronditur nga tragjedia me një të vdekur dhe 30 të plagosur, si pasojë e përplasjes së një treni pasagjerësh me një makinë ndërtimi pranë fshatit Voorschouten, midis Hagës dhe Leiden. Sipas asaj që është bërë e ditur, treni ka dalë nga shinat si pasojë e përplasjes me një makinë ndërtimi.
“Ishte si një film, dritat u fikën, u bë errësirë, njerëzit po përpiqeshin të dilnin nga treni,” tha për mediat 20-vjeçari Anwar, një nga rreth 50 pasagjerët në tren. “Pashë tre të plagosur, dikush bërtiti, pashë se ishte shoferi i trenit. Kam ndihmuar disa njerëz që kishin shumë dhimbje. Ne thirrëm 112, ata mbërritën për 10 minuta. Na kanë ndihmuar edhe banorët e fshatit”, shtoi 20-vjeçari. Pali, i cili po udhëtonte me miqtë e tij, foli për një “goditje të madhe”. “Pashë xhamin e thyer dhe më pas pashë pasagjerë të gjakosur nga vagonët e tjerë. Fatmirësisht nuk u lënduam”, tha ai. Një nga të parët që ndihmoi pasagjerët e trenit ishte një fermer, shtëpia e të cilit është afër daljes nga shinat: “Disa u plagosën në kokë, të tjerë në këmbë. Të parët që zbritën nga treni, ishin në gjendje shumë të keqe.
“Nuk dinin ku të shkonin, në sytë e tyre shihja frikën. Njëri më tha se gjithçka ndodhi kaq shpejt, para se të mbyllte sytë ishte në dysheme. Nëse e keni parë shkatërrimin dhe jeni gjallë, jeni shumë me fat”, tha njeri prejt tyre. Kryeministri i Holandës, Mark Rutte shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre. Deri më tani nuk dihet identiteti i personit që ka humbur jetën.