Ish-udhëheqësja e Mianmarit dënohet edhe me 4 vite të tjera burg

Ish-udhëheqësja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, u dënua të hënën edhe me 4 vite të tjera burg për akuza politike, të cilat përfshinin mbajtjen pa leje të radiove marrëse dhe dhënëse dhe të disa zhurmuesish të frekuencave.

Dënimi u konsiderua “farsë” nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Suu Kyi tashmë do të shlyejë një dënim total prej 6 vitesh burg, përfshirë këtu dy vitet e dhëna dy muaj më parë për shkelje të masave anti-COVID dhe protesta të paligjshme.

Ajo është në gjyq për dhjetëra çështje që sjellin dënime maksimale të kombinuara prej më shumë se 100 vite burg. Ish-udhëheqësja e Mianmarit i ka mohuar të gjitha akuzat.

Suu Kyi, e cila është 76 vjeçe, u vlerësua në vitin 1991 me çmimin Nobel për Paqen. Të hënën ajo u shfaq e qetë përpara trupës gjyqësore që i dha vendimin.

Ish-udhëheqësja u arrestua më 1 shkurt të vitit 2021 pas grushtit të shtetit të konkretizuar nga ushtria.

Mianmari ka qenë në trazira që kur grushti i shtetit rrëzoi qeverinë e zgjedhur të Suu Kyit duke i dhënë fund një periudhe 10-vjeçare përpjekjeje për ta demokratizuar vendin.

Grupi i të drejtave Amnesty International tha përmes një postimi në Twitter të hënën se dënimet e reja ishin “akti i fundit në gjyqin farsë kundër udhëheqëses civile”. Organizata bëri thirrje për lirimin e saj së bashku me mijëra të tjerë “të arrestuar padrejtësisht” që nga grushti i shtetit.

Gjyqi ndaj Suu Kyi u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, teksa avokatëve të saj i është mohuar komunikimi me publikun.