Ish-punonjësi i inteligjencës amerikane “bëhet rus”

Edward Snowden, ish-punonjësi i inteligjencës amerikane që denoncoi shkeljet e privatësisë së qytetarëve në metodat e survejimit, fitoi këtë javë shtetësinë ruse, e cila iu dha direkt nga presidenti Vladimir Putin.

Vendimi u mor 9 vite pasi Snowden ekspozoi për herë të parë shkallën e operacioneve sekrete të mbikëqyrjes nga e ashtuquajtura NSA, apo ndryshe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së.

Tanimë 39-vjeçar, Snowden u largua nga Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi azil në Rusi në vitin 2013 pasi përcolli në media informacionet sekrete për operacionet e vëzhgimit në masë të vendasve dhe ndërkombëtarëve të kryera nga NSA, në kohën kur ai punonte për ta.

Asokohe, ai foli ekskluzivisht me gazetarët e The Guardian të cilëve u tregoi për abuzimet me teknologjinë dhe naivitetin e masës së gjerë të qytetarëve të cilët nuk e marrin seriozisht thyerjen e privatësisë në përgjime.

Autoritetet amerikane kanë kërkuar prej vitesh që Snowden të kthehet në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me një gjyq penal me akuza për spiunazh.

Putin, i cili vetë ka qenë ish-shefi i spiunazhit rus, tha në vitin 2017 se Snowden kishte gabuar që zbuloi sekretet e SHBA-së, por theksoi se ai nuk ishte tradhtar.

Rusia i dha Snowdenit të drejtën e qëndrimit të përhershëm në vitin 2020, duke i hapur rrugën edhe marrjes së nënshtetësisë, proces që u përmbyll këtë javë/Tibo-News.