
Ish-Presidenti i Brazilit del nga spitali, kërkohet llogari për trazirat
Ish-presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro la spitalin ku ishte shtruar në Orlando të Floridas të martën.
Lajmi u konfirmua nga familjarë të tij, teksa videoja e mbërritjes së tij në shtëpi u bë virale në internet.
Bolsonaro u shtrua në spital të hënën për probleme gastro-intenstinale, një ditë pasi qindra mbështetës të tij sulmuan ndërtesat kryesore qeveritare në kryeqytetin Brasilia.
Dalja nga spitali ndodhi pasi autoritetet braziliane lëshuan një urdhër-arresti për një nga ish-ministrat e tij.
Gjykata e Lartë urdhëroi arrestimin e Anderson Torres, i cili u bë shef i sigurisë publike për Brasilian këtë muaj, teksa në periudhën e Bolsonaros kishte shërbyer si ministër i drejtësisë.
Torres, i cili u shkarkua nga detyra të dielën, nuk ishte në Brasilia kur ndodhën trazirat, pasi kishte fluturuar në Florida në fillim të këtij muaji.
Në një postim në Twitter të martën, ai tha se do të ndërpriste pushimet e tij familjare në Florida dhe do të kthehej në Brazil për t’u përballur me akuzat.
Mbetet e paqartë nëse Torres është takuar me Bolsonaron në Florida.
Gjykata lëshoi gjithashtu një urdhër për arrestimin e kreut të policisë ushtarake të Brasilias.
Detajet e akuzave të ngritura kundër dyshes nuk ishin menjëherë të qarta.
Por urdhri i arrestimit përmendi dështimin e tyre për të siguruar që forcat e duhura të sigurisë të ishin në vend.
Trazirat e së dielës erdhën një javë pasi presidenti Luiz Inacio Lula da Silva u betua dhe shihen gjerësisht si sulmi më i rëndë ndaj demokracisë braziliane në dekada.
Të martën, një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Lartë vëzhgoi dëmet e shkaktuara në ndërtesat e gjyqësorit në Brasilia.
Në një deklaratë të përlotur, gjyqtari Gilmar Mendes shtroi pyetjen retorike se si qe e mundur të arritej deri në këtë pikë duke theksuar më pas se duhet bërë e pamundura për t’u mënjanuar që gjëra të tilla të ndodhin prapë.
*Tibo News