Ish kryeministrin e këtij shteti tentojnë ta vrasin

Ish-kryeministri i Pakistanit Imran Khan u plagos së bashku me disa nga mbështetësit e tij pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj mjetit ku ndodhej.

Zyrtari i partisë, Asad Umar thotë se Khan u plagos në këmbë dhe nuk u lëndua rëndë. Sipas mediave, personi që qëlloi u vra, ndërsa një tjetër është arrestuar nga policia.

Dyshimet janë se autori po tentonte ta vriste ish kryeministrin, ndërkohë që identiteti i tij ende nuk është publikuar.

Sulmi ndodhi në rrethin Wazirabad në provincën lindore Punjab.

Khan po udhëtonte me mjet drejt kryeqytetit, Islamabad, si pjesë e fushatës së tij që synonte të detyronte qeverinë të mbante zgjedhje të parakohshme.

Khan u pa më vonë me një fashë në këmbë. Ai u zhvendos në një automjet tjetër.

Sipas njoftimit, u plagosën edhe disa nga mbështetësit e partisë së tij Tehreek-e-Insaf.

Sulmi ndodhi më pak se një javë pasi Khan lancoi marshimin nga Lahore, kryeqyteti i provincës Punjab, së bashku me mijëra mbështetës.

Që nga largimi i tij me votë mosbesimi në Parlament në prill, Khan ka pretenduar se rrëzimi nga pushteti ishte një komplot i krijuar nga pasardhësi i tij, kryeministri Shahbaz Sharif, dhe SHBA – pretendime që të dy udhëheqësi i ri pakistanez dhe Uashingtoni i kanë mohuar.

*Tibo News