Ish-kryeministri pakistanez dënohet me 10 vjet burg

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është dënuar me 10 vjet burg për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Vendimi u njoftua nga gjyqtari i gjykatës speciale Abul Hasnat Zulqarnain gjatë një seance të mbajtur në burgun Adiala në Rawalpindi.

Ish-ministri i Jashtëm i Khan, Shah Mahmood Qureshi, gjithashtu u dënua me 10 vjet burg. Vendimi vjen në prag të zgjedhjeve të vendit, që do të mbahen me 8 shkurt.

Khan u rrëzua nga posti i kryeministrit përmes një votimi mosbesimi në prill 2022. 71-vjeçari, themeluesi i partisë së Pakistanit Tehreek-e-Insaf (PTI), ndodhet në burg që nga gushti i vitit 2023, i akuzuar për korrupsion, për të cilat ai thotë se janë të motivuara politikisht.

Pakistani ka shënuar demonstrata të dhunshme që pas arrestimit të Khan në maj 2023.