
Ish-bashkëshortja e Elvis Presley pretendon pasurinë që i trashëgoi së bijës
Ish-bashkëshortja e Elvis Presley-t, Priscilla, ka paraqitur një padi ligjore përmes së cilës e konsideron fals testamentin e vajzës së tyre të ndjerë Lisa Marie Presley.
Priscilla kundërshton ndryshimet e vitit 2016 të bërë nga Lisa, e cila në testamentin e saj, e pati hequr të ëmën nga konsiderimi “njerëz të afërm” dhe e pati zëvendësuar me dy fëmijët Riley Keough dhe Benjamin Keough, ky i fundit u nda nga jeta në vitin 2020 në moshën 28-vjeçare.
Në rast paaftësie, testamenti i rishikuar ia jepte kontrollin e pasurisë së Lisa Marie fëmijëve dhe ish-menaxherit të të atit Barry Siegel. Testamenti lejonte mundësinë e apelimit vetëm pas vdekjes.
Lisa Marie, fëmija i vetëm i “Mbretit të Rokut” Elvis, vdiq në moshën 54-vjeçare më 12 janar të këtij viti në Los Anxhelos. Ajo u varros në Graceland në shtëpinë e familjes së saj.
E ëma e Lisës, Priscilla, aktualisht 77-vjeçe, ka vënë në diskutim ligjshmërinë e testamentit të vajzës së saj, duke pretenduar se nuk ka fuqi ligjore për sa kohë nuk qe njoftuar për ndryshimet dhe se në pjesën kur përmendet ajo, emri i saj është shkruar gabim.
Po kështu Priscilla pretendon se në testament firma e Lisa Marie nuk është e vërtetë dhe se në dokument mungojnë gjithashtu firmat e dëshmitarëve.
Lisa Marie Presley la tre fëmijë. Përveç Riley Keough, vajzës së saj me burrin e parë Danny Keough, ajo la dhe dy vajza binjake nga martesa me burrin e saj të katërt, Michael Lockwood.
Marie u deklarua e divorcuar nga Lockwood në vitin 2021, por të dy ende po diskutonin çështjet financiare mes tyre në gjykatë kur ajo u nda nga jeta.
Pretendimi i Priscilla Presley është ndër të parat padi ligjore për pasurinë e trashëgimtares së vetme të Elvis Presley. Burime pranë të afërmve të familjes, kanë lënë të kuptohet se mund të ngrihen padi të tjera.
Nuk është e qartë se sa është pasuria totale e trashëguar nga “Mbreti i Rokut”, por një padi e Lisa Marie Presley e paraqitur në vitin 2018 kundër ish-menaxherit Siegel, të cilin e akuzonte për keqmenaxhime të pasurisë përmendte një shifër mbi 100 milionë dollarë.
*Tibo News.