
Irani vijon ndalimin e rrjeteve sociale
Irani do të vazhdojë të kufizojë aksesin në Instagram dhe WhatsApp, pavarësisht se situata e protestave antiqeveritare duket të jetë qetësuar.
Teherani ka akuzuar rrjetet e platformës Meta të Mark Zuckerberg si “amplifikatorë të trazirave”.
Vendimi për vijimin e bllokimit vjen në të njëjtën ditë kur qindra figura ndërkombëtare bënë një apel të përbashkët, duke shprehur mbështetjen e tyre për revoltën kundër regjimit iranian.
Trazirat në Iran nisën në muajin shtator pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia, për shkak të veshjes jashtë normës së sheriatit.
Autoritetet iu përgjigjën me dhunë protestave ndërsa bllokuan për disa javë internetin.
Aktualisht demonstratat janë në rënie, ndërsa opinioni publik ka pasur pritshmëri për lehtësime të kufizimeve.
Ndërprerjet e internetit ndikuan në kufizimin e shërbimeve të 3 milionë kompanive në Iran.
Instagram dhe WhatsApp kanë qenë aplikacionet më të përdorura nga iranianët, që nga bllokimi i platformave Youtube, Facebook, Telegram, Twitter dhe Tiktok vitet e shkuara.
Edhe para protestave, qasja në internet në Iran ka qenë e kufizuar.
Sidoqoftë, një numër i madh iranianësh përdornin VPN për të hyrë në faqet e internetit me servera jashtë vendit, por kufizimevet e reja e kanë bërë gjithnjë e më të vështirë përdorimin e këtyre metodave.
Të mërkurën, 480 figura ndërkombëtare, nga të nominuarit për Nobel deri te aktorët e njohur, lëshuan një deklaratë duke theksuar se protestuesit në Iran “meritojnë mbështetje të palëkundur nga dashamirët e lirisë në botë”.
Thirrja e botuar nga organizata jo-qeveritare, Freedom House me bazë në SHBA, thekson se “triumfi i lirisë në Iran mund të ngjallë valën globale të demokratizimit që ishte kaq e fortë në fund të shekullit të 20-të”.
Emra të njohur përfshirë shkrimtaren bjelloruse fituese të çmimit Nobel, Svetlana Alexievich, ish-Sekretaren e Shtetit të SHBA Hillary Clinton apo dhe aktorin Richard Gere theksuan mbështetjen e tyre për gratë iraniane.
Ata nënvizuan se “fundi i sistemit të mizogjinisë së Republikës Islamike do të përbënte një pikë kthese globale në marshimin e gjatë drejt një bote ku gratë trajtohen në mënyrë të barabartë”.
Gratë e reja kanë luajtur një rol kryesor në demonstratat që fillimisht u përqendruan në kodet strikte të veshjes shiite në Iran, të cilat janë të papëlqyeshme në shumicën e zonave urbane.
*Tibo News.