Irani: “E kemi kapacitetin për krijimin e bombës bërthamore”

Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami, siguroi të hënën se Irani ka mjetet teknike për të prodhuar një bombë atomike, megjithëse për momentin nuk ka ndërmend ta kryejë atë.

Në korrik, Kamal Kharrazi, një këshilltar i lartë i liderit suprem iranian, tha se Republika Islamike mund të ketë njëfarë interesi për armët bërthamore; diçka që ata gjithmonë e kishin mohuar, por që tani, pas deklaratave të Eslamit, duket se është afër të bëhet realitet.

“Siç përmendi zoti Kharrazi, Irani ka aftësi teknike për të ndërtuar një bombë atomike, por një program i tillë nuk është në rendin e ditës”, tha Eslami.

Në fakt, Irani tashmë po pasuron uraniumin në 60% pastërti të zbërthyeshme, shumë më e lartë se përqindja e rënë dakord në marrëveshjen e Teheranit, sipas së cilës pasurimi nuk mund të kalonte 3.67%.

Ende nën pasurimin 90% të nevojshëm për të bërë një bombë bërthamore, Irani duket se po i afrohet gjithnjë e më shumë aftësisë për të ndërtuar bombën e tij atomike, duke lënë pas gjithçka që është rënë dakord në 2015.

Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara, të udhëhequra nga presidenti i saj në atë kohë, Donald Trump, braktisën këtë marrëveshje. Që nga ky moment Irani ka ndërmarrë hapa të vegjël dhe ka lënë shenja në rrugën e synimit të tij për t’iu afruar armëve bërthamore.

Për shkak të kësaj rruge të rrezikshme që po merrte Irani, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore, deklaroi se kishte propozuar një draft të ri të marrëveshjes për riaktivizimin e saj.

Në përgjigje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani tha: “Pas shkëmbimit të mesazheve javën e kaluar dhe shqyrtimit të teksteve të propozuara, ekziston mundësia që në të ardhmen e afërt të arrijmë në një përfundim për kohën e një raundi të ri të negociatave bërthamore”.

Joe Biden tashmë ishte përpjekur ta kthente marrëveshjen në rrugën e duhur, por kërkesat e Iranit nënkuptonin që pas 11 muajsh negociatash, bisedimet nuk arritën në një përfundim. Teherani kërkoi që Shtetet e Bashkuara të siguroheshin që asnjë president i ardhshëm amerikan të mos mund të largohej nga marrëveshja, ashtu siç kishte bërë Donald Trump.

Kërkesat që administrata Biden nuk mund t’i pranonte, pasi marrëveshja bërthamore është një marrëveshje politike jo e detyrueshme, jo një traktat ligjërisht i detyrueshëm.

Irani thotë se është i aftë të prodhojë një bombë atomike, por nuk ka ndërmend ta bëjë këtë për momentin.