Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, Rama: Do shqyrtojmë aplikimin sipas ligjit

Qeveria shqiptare nuk ka marrë ende një vendim për projekt-propozimin e Jared Kushner, dhëndrit të Trump për të ndërtuar në ishullin e Sazanit një resort të markës së njohur të hotelerisë Aman.

Kryeministri Rama ka reaguar duke thënë se propozimi i depozituar pranë Agjencisë së Investimeve Huaja do të shqyrtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Flasim për një aplikim të cilin ne do ta shqyrtojmë në një proces sipas ligjit, mbi të cilin ne do të negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në atë investim”.

Rama megjithatë foli lidhur me përfitimet që ka vendi ynë nga investimet e huaja në turizëm.

“Sot ne diskutojmë për ekselencën e turizmit botëror që kërkon të hyjë në Shqipëri e cila përmes këtyre zhvillimeve bëhet konkurruese e drejtpërdrejtë e atyre që janë luanët e Mesdheut që i kemi rreth e rrotull. Realizimi i këtyre zhvillimeve pasuron shqiptarët”.

Kryeministri Rama garantoi se nuk do negociohet për interesat personale, por do ndiqet praktika që u ndoq për projektin e portit ri tregtar të Durrësit.

“Nuk bëhet fjalë për të falur asgjë që është e shqiptarëve, përkundrazi jemi në kushtet kur shqiptarët janë pjesë e investimit në portin e Durrësit. Përmes shtetit që është aksioner”.