
Intervista/ Kujdesi, virozat e stinës, vitaminat dhe vizitat për shëndetin
A janë konfuzë qytetarët kur vjen puna tek shëndeti i tyre? Ekzistojnë shprehje të tilla ndoshta dhe gazmore kur thuhet se shqiptarët kërkojnë ndihmën mjekësore vetëm kur nuk kanë më energjinë për të lëvizur nga vendi. Ndoshta kujdesen shumë, por ndoshta kujdesen keq?
Shumica ndjejnë ende frikën apo ndoshta panikun për të shkuar tek mjeku. Ka disa lehtësira për qasjen në sektorin shëndetësor, por të shumtë janë ata që nuk hezitojnë të shkojnë tek farmacisti në pikën me të afërt e ku kërkojnë medikamente të cilat nuk mund të jepen pa recetë. Këtë problem e konstaton edhe farmacistja Arba Dyrmishi. Në intervistën për Tibo News, Arba thotë se mjeku dhe farmacisti nuk duhet të ngatërrohen kur vjen puna tek një problem shëndetësor e sidomos ato serioze. Evidenton rastet kur pacientët kërkojnë antibiotikë dhe medikamente me receta të njerëzve të afërt, e kjo gjë u vu re edhe më shumë gjatë shpërthimit të pandemisë së Covid.
Arba Dyrmishi: “Neve jemi dy profesione në bashkëpunim gjithashtu, mund të ketë edhe ngatërresa sepse mjeku mban përgjegjësinë e vet për konstatimin e sëmundjes dhe të trajtimit me të cilët pacientët duhet të vazhdojnë të rikuperojnë shëndetin e tyre. Farmacisti bashkëvepron me mjekun në lidhje me dozën dhe efikasitetin e medikamenteve dhe farmakovigjilencën.
Arba thekson se farmacistët janë gjithmonë në kontakt me mjekët:
Arba Dyrmishi: “Ne kontaktojmë me mjekët, mjeku dhe farmacisti bashkëveprojnë me njëri tjetrin sepse mjekësia është një shkencë që është në evolvim e duke qenë e tillë, ne duhet të marrim informacione shtesë dhe me të azhurnuara për efikasitetin e mjekimit dhe efikasitetin e tyre. Në rastet kur receta nuk është e qartë dhe ka ato problematikat e veta, ne sigurisht kontaktojmë me mjekun”.
Nëse flasim për vitaminat, nuk janë të paktë ata që i konsiderojnë si antibiotikë, e madje refuzojnë që t’i përdorin ato.
Arba Dyrmishi: “Vitaminat janë suplemente ushqimore, jo gjithçka që konsumojmë përmes ushqimeve arrijnë të absorvojnë në organizmin tonë, prandaj vitaminat janë një shtesë e pandryshueshme dhe e domosdoshme për të marrë maksimumin e ditës dhe të ecurisë tonë. Vitaminat ndonjëherë mendohen se janë shtojca të trajtimit, por janë shumë të rëndësishme, pikërisht sepse antibiotikët duke qenë se vrasin bakteret e mira që kemi në organizëm dhe shkatërrojnë florën tonë intestinale, që do të thotë dhe përkthehet me imunitetin tonë, janë të domosdoshme në trajtim për të evituar efektet anësore siç mund të jetë një diarre ose një infeksion mykotik i mbivendosur”.
Farmacistja Dyrmishi ndan shqetësimin e dhënies së antibiotikëve pa kriter dhe keqpërdorimit të recetave që nuk janë të vetë pacientit që ka shqetësime shëndetësore.
Arba Dyrmishi: “Sidomos edhe pas pandemisë së Covid, siç e thashë më parë që jemi shkencë në evolvim dhe protokolli nuk ka qenë i saktë, janë dhënë antibiotikë pa kriter, kjo për fakt se ka pasur edhe një panik masiv, edhe injorancë duke qenë se njerëzit merrnin mjekime me shabllon të komshies, vëllait, motrës, nuses së xhaxhait etj etj dhe ka pasur abuzim. Kjo përkthehet me një rezistencë ndaj antibiotikëve të baktereve. Ndër vite, sepse kjo mendohet ndër vite jo vetëm në vitet që vazhdojmë, kjo rezistencë ndaj antibiotikëve do të përkthehet në mostrajtim të infeksioneve”.
Arba Dyrmishi: “Pacientët që janë të ndërgjegjshëm së janë shumë të rëndësishme vitaminat, vazhdojnë akoma të përdorin suplementet e nevojshme, vitamina D, C, laktoferina, zinku, efektet e tyre i dimë tashmë dhe pacientët janë koshientë. Virusi nuk është zhdukur, ka akoma disa raste, por rastet fatmirësisht më të rralla dhe më të lehta dhe simptomat nuk janë më agresive si në fillimet e pandemisë. Por ekziston. Shqiptarët e anashkalojnë vajtjen tek mjeku, mjekimi te mjeku specialist është diçka e domosdoshme. Farmacisti mund të ndihmojë si një hallkë e parë e ndihmës shëndetësore, por mjekimi nga mjeku specialist është i domosdoshëm”.

Arba Dyrmishi, farmaciste, Tiranë.
Farmacistët mbeten në pritje të aplikimit të recetave elektronike që aktualisht nuk është për të gjitha patologjitë.
Dyrmishi: “Aktualisht sistemi i ri i rimbursimit të medikamenteve nga fondi FSDKSH aplikohet një recete elektronike. Për medikamentet e tjera jemi në pritje të organeve kompetente. Do ishte ideale të ishte edhe për patologjitë akute një recetë e tillë për të evituar probleme dhe gabime gjatë mjekimit”.
Arba si të gjithë farmacistët e tjerë, iu bën thirrje qytetarëve që për problemet madhore të drejtohen tek mjeku specialist, ndërsa thekson se për patologjitë e lehta të mos hezitojnë të kërkojnë asistencën e farmacistit.
Arba Dyrmishi: “Qytetarët çdo herë që kanë një problem jo madhor mund të drejtohen tek farmacisti, ndërsa në rastet e komplikacioneve më të rënda duhet patjetër asistenca e mjekut specialist. Farmacitë janë në shërbim të qytetarëve dhe e janë gjithmonë të mirëpritur por është shumë e rëndësishme të kemi konstatim nga mjeku specialist për të mos pasur abuzim si me antibiotiket dhe medikamentet e tjera që nuk janë të nevojshme për shëndetin e pacientit. Me sezonin e pranverës fillojnë edhe alergjitë e stinës që japin simptoma të një rrufe, acarimi fyti apo një kollë alergjike. Natyrisht jemi akoma në periudhën e Covid dhe kjo gjë mundtë shkaktojë edhe panik, por mjekimet janë të thjeshta, një antialergjik në darkë, për një javë rresht, vitamina C, D, dhe në rastet e një temperature të lehtë një antipiretik”.
*Tibo News