Inter fiton Super-Kupën e Italisë falë një goli të Sanchezit në minutën e 121-të

Një gol në sekondat e fundit të pjesëve shtesë nga Alexis Sanchez i dhuroi të mërkurën Interit Super-Kupën e Italisë.

Në San Siro derbi i Madoninës u dominua totalisht nga skuadra zikaltër, që e nisi ndeshjen më mirë, por nuk konkretizoi dot rastet që kishte. Ndryshe bënë bardhezinjtë e Massimiliano Alegrit.

Weston McKennie shtangu Interin me një gol në minutën e 25-të, mirëpo Interi reagoi menjëherë. Dhjetë minuta më pas, një ndërhyrje e gabuar në zonë nga De Scilio ndaj Dzekos shkaktoi penallti. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Lautaro Martinez.

Me rezultatin 1-1 Juventus u tërhoq shumë prapa duke lejuar tepër hapësira. Interi dominoi në zotërim topi, raste për gol, goditje në kuadrat, goditje nga këndi dhe pothuajse në të gjitha statistikat e tjera. Sidoqoftë goli i përmbysjes finale erdhi vetëm në pjesët shtesë.

Më saktë në minutën e 121 kur një gabim i Alex Sandros u shfrytëzua mirë nga Darmian, ky asistoi Alexis Sanchezin i cili realizoi në mënyrë perfekte. Fillë pas golit erdhi fundi i sfidës dhe nisja e festës për Interin.

Inzaghi u bë i pari trajner që mund Juventusin në tre finale të Super-Kupës që prej vitit 1930. Trajneri italian e kishte mundur më parë me Lazion, ndërsa ky i së mërkurës ishte trofeu i parë me zikaltërit.