INSTAT nxjerr shifrat: Turizmi në ditët më të mira

Shqipëria pritet që të ketë këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke ia tejkaluar dhe vitit 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin. Ashtu si dhe në maj, në qershor, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend është rritur ndjeshëm, duke bërë që për 6 mujorin, ardhjet e turistëve të rriten ndjeshëm në raport me 2019-n. Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën janar-qershor, në vend kanë hyrë gjithsej 2.5 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 16.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Ndërsa në raport me 6 mujorin e një viti më parë, rritja është 37.5%. Vetëm në qershor, në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019. Ndërsa në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë kanë hyrë 43% më shumë të huaj.