Inflacioni rekord i eurozonës: Cilat janë vendet më të ndikuara?

Inflacioni në eurozonë po vazhdon të rritet në nivele rekord, duke arritur në 8.9 për qind në korrik.

Kjo situatë sa vjen e përkeqësohet pasi inflacioni ishte 8.6 për qind në qershor, 8.1 për qind në maj dhe 7.4 për qind në prill dhe evropianët vazhdojnë të shohin rritje të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të nxitura pjesërisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Vlerësimi paraprak i publikuar të premten më 29 korrik nga Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian, është më i larti që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave për eurozonën në 1997.

Norma më e lartë vjetore e inflacionit në këtë vlerësim ishte edhe një herë për çmimet e energjisë, në 39.7 për qind, nga 42 për qind në qershor.

Kjo pasohet nga ushqimi, alkooli dhe duhani (9.8 për qind, krahasuar me 8.9 për qind në qershor), mallrat industriale joenergjetike (4.5 për qind, krahasuar me 4.3 për qind në qershor) dhe shërbimet (3.7 për qind, krahasuar me 3.4 për qind në qershor).

Çdo cep i kontinentit po përballet me çmime në rritje, me rikthimin e pritshëm ekonomik të Evropës nga pandemia e koronavirusit që pengohet nga një sërë faktorësh.

Jashtë BE-së, norma e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 9.4 për qind, norma e saj më e lartë vjetore që nga viti 1982. Rusia po përballet me inflacion prej 15.9 për qind, nga 17.1 për qind në maj.

Kjo hartë tregon normën e inflacionit në çdo vend të Evropës:

Shikoni: Niveli i inflacionit në Evropë

Duke ndjekur hapat e homologëve të saj në pjesë të tjera të botës, Banka Qendrore Evropiane rriti normat e interesit për herë të parë në 11 vjet me një shumë më të madhe se sa pritej, pasi synon inflacionin e lartë.

Lëvizja, e shpallur më 21 korrik, ngre pyetje të reja nëse nxitimi për ta bërë kredinë më të shtrenjtë do t’i zhysë ekonomitë e mëdha në recesion me koston e lehtësimit të çmimeve për njerëzit që shpenzojnë më shumë për ushqime, karburant dhe gjithçka tjetër.

Kjo pritet të pasohet nga një tjetër rritje në shtator.

Në raportimin e korrikut, Gjermania pa inflacionin e saj të rritej në 8.5 për qind, pas një rënie të vogël muajin e kaluar.

Inflacioni i Francës tani qëndron në 6.8 për qind dhe ai i Italisë në 8.4 për qind.

Vendet baltike mbeten veçanërisht të prekura, ku Estonia përjeton inflacion prej 22.7 për qind, Lituania 20.8 për qind dhe Letonia 21 për qind.

 

Çfarë i shkakton këto norma inflacioni?

Evropa dhe pjesa më e madhe e botës po goditeshin tashmë nga rritja e çmimeve të energjisë, të cilat kontribuojnë në inflacion, përpara pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit.

Konflikti ka përkeqësuar krizën energjetike duke nxitur shqetësimet globale që mund të çojë në një ndërprerje të furnizimeve me naftë ose gaz natyror nga Rusia.

Rusia ka qenë kohët e fundit furnizuesi kryesor i BE-së me naftë, gaz natyror dhe qymyr, duke zënë rreth një të katërtën e energjisë së saj.