
Inflacioni po nxit uljen e konsumit të birrës, thotë Heineken
Inflacioni duket se po ul konsumin e birrës dhe alkoolit në disa vende të Evropës.
Këtë tregues e ka vënë në dukje së fundmi kompania Heineken, që është një prej prodhuesve më të mëdhenj të birrës në botë.
Kompania holandeze tha këtë javë se të ardhurat e saj gjatë tremujorit të fundit rezultuan më të ulëta se parashikimet.
Në tërësi shitjet e birrës u rritën me 8.9% gjatë tremujorit të tretë, ku rritja kryesore ishte në tregun aziatik. Pritshmëritë ishin për një rritje me 12%.
Heineken raportoi rritje prej 68% të shitjeve të birrës në rajonet e Azisë dhe Paqësorit në periudhën korrik-shtator. Në këto rajone ka spikatur më së shumti Vietnami.
Kompania Heineken tha se perspektiva mbetet që marzhi i fitimit për këtë vit të jetë i qëndrueshëm ose me një rritje modeste krahasuar me vitin e shkuar.
Ajo nuk përmendi më parashikimin e vitit 2023 ku pati deklaruar synimin për një rritje të ndjeshme.
Gjigandi i birrës thotë se inflacioni i lartë ka tkurrur fuqinë blerëse dhe prirjen e konsumatorëve për pijet alkoolike.
Kështu pas një vere të nxehtë me konsum relativisht të kënaqshëm, dimri pritet të jetë me kursime.
Aksionet e Heineken ranë mbi 8% në fillim të tregtisë, në nivelin më të ulët në shtatë muaj.
*Tibo News.