
Inflacioni në Itali rritet me 8.4%, me i larti në 37 vite
Çmimet në Itali ishin 8.4 për qind më të larta në gusht se sa një vit më parë, një nivel që nuk ishte regjistruar që nga dhjetori 1985, raportoi Instituti Kombëtar i Statistikave të vendit (ISTAT).
Të dhënat paraprake nga ISTAT të mërkurën treguan se çmimet në gusht ishin 0.8 për qind më të larta se në korrik.
Mallrat e lidhura me energjinë ishin faktori kryesor pas rritjes, tha ISTAT, me një rritje prej 44.9 për qind nga viti në vit, më e lartë se rritja prej 42.9 për qind në korrik krahasuar me një vit më parë.
Gjatë tre muajve duke filluar nga qershori, norma vjetore e inflacionit të Italisë ka qenë përkatësisht 8 për qind, 7,9 për qind dhe 8,4 për qind, tre totalet mujore më të larta të regjistruara që nga krijimi zyrtar i monedhës euro në 1999.
Pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë, ritmi i rritjes së shërbimeve të transportit u ngadalësua lehtë në gusht, duke u rritur me 8.4 për qind krahasuar me një vit më parë, nga rritja vjetore prej 8.9 për qind e regjistruar në korrik.
Çmimet për mallrat e konsumit u rritën në 11.8 për qind, ndërsa kostot për shërbimet u rritën me 3.7 për qind, shtoi ISTAT.
Ndërkohë, norma bazë e inflacionit, e cila përjashton çmimet për energjinë dhe mallrat e paqëndrueshme të konsumit si ushqimet, ishte 4.4 për qind, norma më e lartë që nga maji 1996.
Gjatë tetë muajve të parë të vitit, norma kumulative e inflacionit është 7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
*TiboNews