Infektohet princi Charles, me tre vaksina anti-Covid

Princi Charles i Britanisë ka rezultuar pozitiv në testin anti-Covid, dhe për këtë arsye është izoluar. Fatmirësisht ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Eventet e planifikuara ku do të merrte pjesë janë anuluar, ndërsa shtypi britanik vë në pah se Princi është takuar dy ditë më parë me mbretëreshën Elizabeth, mes dyshimeve se mund t’i ketë transmetuar virusin.

Princi Charles 73 vjeç u takua me dhjetëra njerëz gjatë një pritje të madhe në Muzeun Britanik të Londrës mbrëmjen e së mërkurës.

Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij Camilla dhe ishte në kontakt të ngushtë me shefin e Thesarit të Britanisë, Rishi Sunak.

Nga zyra e Princit, Clarence House u konfirmua se ai është vaksinuar tri herë.

Princi Charles u infektua në Mars të vitit 2020, gjatë valës së parë të pandemisë së bashku me bashkëshorten e tij Camilla.