
Indeks matës për kënaqshmërinë e pacientëve, ja rezultatet nga MSH
Realizohet studimi i parë mbi matjen e kënaqshmërisë së pacientëve në shërbimin shëndetësor parësor. Studimi u prezantua në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen e Ministres Ogerta Manastirliu dhe Ministres për Standardet dhe Shërbimet Milva Ekonomi.
Duke u ndalur tek programet në qendrat e kujdesit parësor, Ministrja Manastirliu u shpreh se tashmë garantohen analizat bazë një herë në vit falas për të gjithë këta qytetarët 35-70 vjeç, me një target kryesor prej 475 mijë qytetarësh që përfitojnë çdo vit falas këtë paketë të analizave. Ajo foli edhe për zgjerim të programit të vaksinimit për fëmijët, duke shtuar vaksinën e rotavirusit por tashmë duke vijuar prej këtij muaji edhe me përfshirjen në kalendar të vaksinës së human papiloma virusit.
Ministrja foli edhe për vijimin e planit për rehabilitimin e qendrave shëndetësore në të gjithë vendin, duke rehabilituar edhe 60 qendra të tjera shëndetësore me buxhetin e vitit 2023.
Përcaktimi i indeksit të kënaqshmërisë së pacientit është objekti i studimit të kryer nga projekti “Shëndet për të Gjithë” për shërbimet e ofruara në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor. Gjatë muajve Korrik-Nëntor 2022, 1500 qytetarë nga 54 qendra shëndetësore morën pjesë në këtë studim.
91% e të anketuarve janë shprehur si të kënaqur me shërbimin në kujdesin parësor. Ndërsa përsa i përket kënaqshmërisë nga shërbimi i urgjencës në kujdesin shëndetësor parësor, 93% e të anketuarve u shprehën të kënaqur. Ndërkaq, 95% e të anketuarve u shprehen të kënaqur me shërbimin e dhënë nga stafi mjekësor. Në raport me aksesueshmërinë e infrastrukturave të kujdesit parësor, 89% shprehën kënaqshmëri me afërsinë gjeografike të qendrave shëndetësore. Ndërkohë, kur janë pyetur për aksesin e vaksinës kundër COVID-19, 97% e të anketuarve janë shprehur të kënaqur nga aksesi në vaksinë.
*Tibo News