Inagurohet Piramida e Tiranës, më e madhja në Ballkan

Piramida është një nga pikat më identifikuese të kryeqytetit tonë.  Ndërtimi i saj filloi në vitin 1986 dhe përfundoi në vitin 1988 duke shërbyer si një muze në trashëgiminë e Hoxhës deri në vitin 1991.

U përurua në 14 tetor 1988 si muzeu i diktatorit Enver Hoxha. Kjo strukturë u projektua si krahë shqiponje, simbol i vetë kombit, por i dukshëm si i tillë vetëm nga lart. Ndërsa nga këndvështrimi i kalimtarit ngjason me një piramidë. Për projektimin e saj punoi një grup arkitektësh nën drejtimin e vajzës dhe dhëndrit të Enver Hoxhës.

E njohur në zhargonin e përditshëm si piramida, ajo zuri vend në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, në një nga pikat më nevralgjike të qytetit.

Pas vitit 1991 ajo u kthye në qendër konferencash e panairesh.

Tashmë, pas disa muajsh rikostruktim,  Piramida e Tiranës është inaguruar mbrëmjen e 11 majit dhe synohet të kthehet në qendrën më të madhe për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimimin digjital, në kulturën e teknologjisë së informacionit dhe në funksion të artit, kulturës dhe kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se Priamida e Rilindur do të bëhet zemra e Shqipërisë së re të të Inovacionit dhe streha më e madhe në rajon e të rinjve e të rejave që i përkushtohen teknologjisë digjitale.

Kryeministri tha se përveç hapësirës së teknologjisë dhe informacionit, Piraminda do të jetë edhe një stacion i turizmit në Tiranë dhe janë të mirëpritur të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë.

“Ta gëzojnë shqiptarët që jetojnë këtu, në Kosovë, kudo tjetër. Qendra do të jetë një qendër që do të jetë përtej kufjve tanë dhe do të kemi vende edhe për të tjerët. Eshtë qendra më e madhe rajonale sa i përket fuqisë që ka dhe do e kthejmë për aktivitete”, tha Rama.