
Importet e vezëve rriten me 25 herë
Për periudhën janar-qershor 2022 importet e vezëve arritën në shifra rekord. Rritja ka nisur pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin mars, duke arritur pikun për muajt maj dhe qershor. Sipas të dhënave të doganave për periudhën janar-qershor importet e vezëve janë rreth 25 herë më të larta se e njëjta periudhë e 2021. Në total në këtë periudhë janë importuar 380,7 mijë kg vezë nga 15,4 mijë kg vezë që u importuan vjet. Para valës së rritjes së çmimit të drithërave për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë ishte 13 lekë për kokërr.
Në mesin e muajit mars veza me shumicë nga fermat u shit me 18 lekë për kokërr (rritja 38%), ndërsa në dyqanet e produkteve ushqimore çmimi i vezës arriti 19 lekë nga 17 lekë për kokërr që shitej më parë. Në fund të muajit mars çmimi i shitjes së vezës nga dyqanet e pakicës arriti në 24 lekë për kokërr, nga mungesa e 50% të prodhimit ditor për shkak të ngordhjes të pulave nga influenca aviare.