Ilir Meta konfirmon divorcin me Monika Kryemadhin

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka konfirmuar divorcin me bashkëshorten e tij, deputeten Monika Kryemadhi. I ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në Syri Tv Meta tha se ka ndjekur rrugën juridike për zgjidhjen e martesës.

Ilir Meta:

“Zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin-tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, ka deklaruar Meta në emisionin “.

Ai shtoi se çështja e mandateve  ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh:

E përmenda çështjen e mandateve se ajo ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh. Nuk ka qenë lojë dhe nuk është lojë. Çështja e mandate është një krim për popullin shqiptar. Unë kam pritur nga ajo një reflektim nga ajo dhe e deputetëve dhe askush nuk mori në telefon për të pyetur se nëse ti ke dalë kundër çfarë mendon. Nuk e bëra unë kryetare të partisë, ashtu siç e thatë ju. Ajo ka pasur kontributet e veta shumë të mëdha. Pas zgjedhjes time të sforcuar si president, kryetar u bë Petrit Vasili, për shkak të përvojës, qartësisë politike dhe ajo u bë nënkryetare si një mbështetëse dhe për të mbajtur linjën. Dhe më pas erdhën zgjedhjet, rezultati i dobët në Fier dhe presionet e Ramës ndaj deputetëve sepse u duk e qartë që po shkonim drejt opozitës. Më pas u mendua si zgjidhje për të mbajtur më të bashkuar partinë, dhe për shkak energjive që ajo kishte. Ka kontributet e veta që askush nuk ja ka mohuar dhe nuk ja mohon. Por tani kjo është një marrëdhënie, e cila është bërë e pamundur dhe kjo është një zgjidhje më e qetë për të gjithë“.

Thashethemet për “krisje” në martesën e tyre kanë qarkulluar kohët e fundit, pasi edhe ngjarjet politike të fundit e shtuan tensionin dhe deklaratat kundërshtuese ndaj njëri tjetrit. Tensionet mes çiftit u shtuan akoma më shumë kur në mes ‘hyri SPAK-u’. Nga njëra anë ishte Meta që hidhte akuza të njëpasnjëshme ndaj institucionit të drejtësisë, e nga ana tjetër Kryemadhi që tha publikisht se “distancohet nga deklarata të tilla”.