I sanksionuar nga BE e SHBA, kush pritet të jetë presidenti i ri i përkohshëm i Iranit

Zv/Presidenti i parë i Iranit, Muhammad Mukhbar, është personi që do të marrë detyrën e presidentit të përkohshëm në vend pas vdekjes së Ebrahim Raisit në një aksident ajror.

Kushtetuta e Iranit parashikon që zgjedhjet presidenciale të mbahen 50 ditë pas vdekjes së kreut të shtetit, ndërsa neni 131 i Kushtetutës së Republikës Islamike parashikon se “në rast të vdekjes, shkarkimit, dorëheqjes, mungesës ose sëmundjes së presidentit, që zgjat më shumë se dy muaj”, zëvendëspresidenti i parë merr përsipër detyrat e tij.

Sakaq, procesi duhet të miratohet nga udhëheqësi suprem i Iranit, post që mbahet nga Ayatollah Ali Khamenei.

Kushtetuta parashikon që një këshill, i përbërë nga “kryetari i parlamentit, kreu i drejtësisë dhe zv/Presidenti i parë, duhet të organizojë zgjedhjet për një president të ri brenda një periudhe 50-ditore”.

Por kush është Muhammad Mukhbar?

Muhammad Mukhbar ka lindur në Dezful të provincës Khuzestan dhe ka mbajtur shumë poste të larta. Ai ka shërbyer edhe si drejtues i disa kompanive dhe që nga viti 2007 ka qenë kryetar i Fondacionit të Urdhrit të Imamëve (Setad) i cili menaxhon pronat e konfiskuara pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Sipas britanikes The Guardian, Mukhbar nuk konsiderohet një person që mund të qëndrojë gjatë në postin e presidentit.