I publikuan foto intime, 27-vjeçarja hidhet nga kati i 4 në Kamëz

Policia e Tiranës ka publikuar detaje në lidhje me vetëvrasjen e një 27 vjeçareje e cila u vetëvra pasi i kishin publikuar një foto intime në rrjetet sociale. E reja i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i një pallati në rrugën Teuta në Kamëz, aty ku jetonte me qira.

Hetuesit kanë ndaluar 39 vjeçarin Altin Çoku pasi akuzohet se është personi që ka publikuar fotot intime dhe tashmë akuzohet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes dhe dyshohet se është personi që i publikoi fotot në rrjetet sociale.

Mësohet se 27 vjeçarja ishte në proces divorci me bashkëshortin e saj nga Kosova dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun.

Gjatë kohës së njohjes mes tyre, ai i ka bërë foto 27-vjeçares në momentet e tyre intime dhe më pas kjo foto është publikuar në rrjetin social TikTok.

E reja i kishte kërkuar disa herë që të fshinte foton, por 39-vjeçari herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë, ndërsa i kërkonte që të vijonin lidhjen.

Dy ditë më parë, Altin Çoku fliste për shpërndarjen e fotos me një bashkëbisedues në TikTok ku shpjegonte se si një person me të cilin ishte në lokal, i kishte marrë telefonin dhe foton në fjalë, e më pas e kishte shpërndarë në rrjete sociale.

NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS

I publikoi një foto intime një 27-vjeçareje, e cila për këtë shkak dyshohet se u vetëhodh nga tarraca e katit të katërt dhe për pasojë humbi jetën, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit:

– A. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.