
I ngrohti i janarit lehtëson Evropën nga kërkesa për gaz
Megjithëse janar, koha është për plazh në pjesën jugperëndimore të Evropës
Dhjetëra qytetarë iu drejtuan plazheve të bregdetit spanjoll gjatë kësaj jave teksa shumica e qyteteve të Evropës regjistruan temperatura rekord për periudhën e dimrit.
Termometri shënoi 25.1 gradë Celsius në Bilbao këtë javë. Në zonat malore resortet e skive janë mbyllur pasi nuk ka dëborë, krejt ndryshe nga periudha e zakonshme për turizëm dimëror.
Shumëkush e sheh motin e ngrohtë si dëshmi të mëtejshme të ndryshimeve të klimës.
Organizata Greenpeace thotë se vala e të nxehtit të janarit është tjetër tregues se tanimë është koha për t’i dhënë fund varësisë nga karburantet fosile.
Por duhet thënë se ngrohtësia e këtij dimri ofron gjithashtu një lehtësim për qeveritë evropiane.
Shumica e tyre kanë qenë nën trysninë e çmimeve të rritura të gazit pas pushtimit rus të Ukrainës.
Por krejt ndryshe nga sa ishin pritshmëritë kjo periudhë ka rezultuar me kërkesa të ulëta për ngrohje duke bërë që kostoja e energjisë të mbetet e ulët.
Të mërkurën, çmimi standard i gazit në Evropë ra përsëri në nivelet e paraluftës së Ukrainës.
Në Itali autoritetet parashikojnë që çmimi të bjerë sërish duke lehtësuar qytetarët nga faturat e kripura.
Ndërkohë në Bilbao, vendasit thjesht nuk janë të sigurt se çfarë të bëjnë nga e gjithë kjo situatë, në një kohë kur duhej të ishte ftohtë, me ngrica dhe dëborë, por po bën nxehtë me një kohë me plot diell.
*Tibo News.