
I ftohti polar mbyll për tre ditë shkollat në Shqipëri
Shkollat do të mbyllen në të gjithë vendin për tri ditë javën që vjen për shkak të temperaturave të ulëta që pritet të mbizotërojnë në vendin tonë.
Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila tha se nisur nga të dhënat meteorologjike, MAS ka vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën. Parashikohet se ditët në vijim vendi ynë do përfshihet nga temperatura tepër të ulëta, deri në -17 gradë në disa vende.
Ministrja sqaroi se vendimi do të rishikohet nëse parashikimet meteorologjike nuk do të rezultojnë të sakta dhe lidhur me këtë do të ketë komunikime të tjera në media.
Meteorologët kanë parashikuar rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit javën që vjen duke u kthyer i ftohti polar.
Në verilindje dhe juglindje të vendit temperaturat do të ulen deri në -8 gradë. Ndërsa, gjatë orëve të mesditës termometri do të rritet jo më shumë se 11 gradë në zonat jug-perëndimore.