Hyn në fuqi Ligji për Lojërat e Fatit Online

Duke filluar nga e hëna e djeshme, hyri në fuqi ligji për rikthimin e lojërave të fatit online. Kjo shënon fillimin pesë vite pas nismës së qeverisë që mbylli mbi 4 mijë pika bastesh.

Megjithatë, ka rregulla: Për ushtrimin e këtij aktiviteti do jepen një numër licensash i kufizuar, me jo më shumë se 10, ndërsa ato do monitorohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Edhe për kompanitë që do përfitojnë licensat do ketë kritere.

-Në garë do marrin pjesë vetëm ato kompani që kanë ushtruar aktivitet të tillë në jo më pak se 3 vende të BE

-Që kanë një kapital fillestar 40 milion lekë

-Të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë.

Kontroll do ketë gjithashtu mbi personat që do luajnë online, të cilët do regjistrohen me kartën e tyre të identitetit dhe transaksionet do t’i kryejnë të gjitha nëpërmjet bankës.

Aktiviteti i basteve u shpall i paligjshëm nga 1 janari i vitit 2019, por fenomeni duket se nuk ndaloi dhe u kthye në aktivitet të paligjshëm. Dhe kjo mesa duket e ‘detyroi’ qeverinë të rikthente bastet online nëpërmjet një ligji. Ky ligj sipas qeverisë do ndalojë informalitetin dhe se paratë që qarkullojnë në këtë treg do jenë më të kontrolluara.