“House of Dragon” sjell reagime që në episodin e parë

Së fundmi, “HBO” publikoi “House of the Dragon”, ndodhitë e të cilit zhvillohen 200 vjet para se të vizitohej Westerosi në serialin tjetër shumë të dashur, “Game of Thrones”. “House of the Dragon” erdhi si paraprijës i atij seriali e mbase edhe si një lloj korrigjimi, por megjithatë, pavarësisht pritshmërisë, ai u përball me shumë kritika.

Kritikat vërshuan fill pas premierës për shkak të një episodi të parë dramatik, të paparalajmëruar. Padyshim, numri i shikuesve e kaloi pritshmërinë duke thyer rekorde edhe pse një skenë lindje e palajmëruar, ngjalli polemika.

Tek episodi i parë i transmetuar në “HBO Max”, Mbreti Viserys, i cili u luajt nga Paddy Considine, urdhëroi një lindje cezariane për gruan e tij Aemma Aryn, e cila u luajt nga Sian Brooke. Gjatë kohës që ajo është e vetëdijshme, si pasojë e operacionit vdes ajo bashkë me foshnjën. Regjisori i serialit, Miguel Sapochnik sqaroi për gazetarët se u konsultua me shumë gra para se të vendoste përfshirjen e kësaj skene, megjithatë, disa organizata humanitare mendojnë se ishte i nevojshëm paralajmërimi për një skenë të tillë para episodit.

Edhe për Jen Coates, e cila është drejtoreshë e shoqatës bamirëse “Sand”, është i rëndësishëm ndëergjegjësimi për skenat që mund të shfaqen.
“Unë mendoj se është mjaft traumatike për këdo. Me 13 foshnje që vdesin çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar, situata prek drejtpërdrejt një komunitet të madh njerëzish,”- u shpreh ajo.