Hotelet e reja me 4 dhe 5 yje, miratohen kriteret për ndërtuesit

Qeveria ka vendosur përcaktimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për të gjitha bizneset që aplikojnë ndaj statusit special investitor në struktura akomoduese, si hotelet me 4 ose 5 yje.

Për marrjen e statusit të veçantë investitor special në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, aplikuesi duhet të përfshijë vlerën e investimit jo më të vogël se 8 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës me 5 yje.

Po ashtu struktura akomoduese duhet të menaxhohet nga operator i regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet e vendeve ku ato ndodhen, i lidhur me aplikuesin me një marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit.

Në vendim përcaktohet tarifa e aplikimit për çdo aplikues, pra 200 mijë për marrjen e statusit special investitor në strukturë akomoduese me 4 yje dhe 300 mijë për marrjen e statusit special investitor në strukturë akomoduese me 5 yje.

Një komision prej shtatë anëtarësh nga ministrija përgjegjëse për turizmin ose institucionet në varësi të saj do të bëjë vlerësimin e aplikimeve.

Këto aplikime së bashku me dokumentacionin e kërkuar do të dorëzohen nga aplikuesit nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”.