Horror në Itali, babai torturon gruan dhe 2 djemtë për ekzorcizëm

Në kaq vite të karrierës time, nuk kam parë diçka më të tmerrshme, këto ishin fjalët e prokurorit italian Ambrogio Cartosio pas një ngjarje të ndodhur mbrëmjen e 11 shkurtit në Palermo, konkretisht në Altavilla.

Një grua dhe dy djemtë e saj u gjetën të vrarë brenda shtëpisë së tyre. Trupi i Antonella Salamone, 41-vjeçe, u gjet e djegur ndërsa dy djemtë, 16-vjeçari Kevin dhe 5-vjeçari me emrin Emanuel, u gjetën të mbytur me zinxhir, nga babai i tyre dhe bashkëshorti i Antonella Salamone-s.

Të tre personat e familjes, sipas mediave italiane u torturuan për rreth 1 muaj, derisa u vranë.

Sipas prokurorisë italiane, Giovanni Barreca është autori i ngjarjes horror, dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me vajzën tjetër të familjes 17-vjeçare dhe një çift tjetër, Massimo Carandente e Sabrina Fina, të cilët janë vendosur në pranga.

Dyshohet se ata kanë kryer krimin makabër, në formën e një riti ekzorcizmi, pasi ishin të bindur se shtëpia së bashku me anëtarët, gruaja dhe dy fëmijët e Giovanni Barreca ishin të pushtuar nga djalli.

Viktimat iu nënshtruan torturave, me pretendimin për t’u nxjerrë të keqen nga trupi.

Ngjarja pritet të zbardhet e plotë, për të publikuar të tjera detaje.