AlbanianEnglish

Hong Kongu heq karantinën e detyruar për udhëtarët

Qeveria e Hong Kongut ka vendosur të heqë politikën e saj të karantinës së detyruar për udhëtarët që mbërrijnë në aeroportet e saj.

Më shumë se dy vite gjysmë pasi hyri në fuqi për herë të parë, sistemi i diskutueshëm i karantinës në hotele do të përfundojë javën e fundit të shtatorit.

Zyrtarët lokalë thanë se udhëtarëve thjesht do t’u kërkohet një test antigjeni dhe po ashtu të monitorojnë veten për simptoma për tre ditët e para të qëndrimit në Hong Kong.

Hong-Kongu nuk do të kërkojë më testet PCR para fluturimit, të cilat do të zëvendësohen me një test të shpejtë antigjeni që do të kryhet në mbërritje.

Edhe pse qytetarëve do t’u lejohet të shkojnë në punë apo shkollë, atyre do t’u ndalohet hyrja në bare apo restorante për tre ditët e para pas mbërritjes.

Prej vitit të kaluar, politika e karantinës së detyruar në hotele është lehtësuar gradualisht.

Kur u zbatua për herë të parë, udhëtarëve ndërkombëtarë iu kërkua të kalonin tre javë në karantinë.

Përveç Kinës kontinentale, ish-kolonia britanike ka qenë një nga vendet ku u vendosën masa jashtëzakonisht të rrepta për udhëtarët ndërkombëtarë.

E ashtuquajtura strategji “zero dinamike” është kritikuar nga bizneset, diplomatët dhe banorët, të cilët janë ankuar se ajo kërcënoi konkurrencën dhe pozitën e Hong Kongut si një qendër financiare globale.

Rregullat kanë rënduar shumë mbi ekonominë dhe po kështu shtuan më tej eksodin e emigrantëve, të nxitur nga përpjekjet e Pekinit për të ushtruar më tepër kontroll politik në Hong-Kong.

Sipas shifrave të qeverisë, rreth 113,000 njerëz janë larguar që nga mesi i vitit 2021.

Por pavarësisht njoftimit për heqjen e karantinës së detyruar, rregullat e tjera kundër COVID-19 mbeten në fuqi.

Hong Kongu ende ndalon grumbullimet publike me më shumë se katër persona dhe maskat janë të detyrueshme për të gjithë, përfshirë fëmijët deri në dy vjeç.

You don't have permission to register