Holandezët shtuan konsumin e hashashit gjatë pandemisë

Pavarësisht situatës me masa të shtuara kufizuese prej pandemisë Holanda po përjeton një bum të tregtisë dhe konsumit të hashashit.

Blerësit dhe konsumatorët janë shtuar gjatë pandemisë në Holandë dhe ekspertët thonë se kjo ka ardhur si nevojë për të qetësuar ankthin, apo pasiguritë emocionale të dy viteve përditshmëri nën trysninë e virusit.

Kur Holanda u vu nën shtetrrethim në mars të vitit 2020, lajmi kryesor i mediave ishin radhët e gjata që zunë baret dhe kafenetë e kanabisit. Në mediat sociale fotografitë e shpërndara u shoqëruan me hashtagun “weed-panic”.

Rreth dy vite më vonë shumë restorante dhe klube nate janë mbyllur, apo janë me shërbim të kufizuar. Krejt ndryshe baret dhe kafenetë e kanabisit mbeten hapur me kusht që shërbimi të jetë pa qëndrim brenda.

Një vëzhgim i institutit të shëndetit mendor Trimbos vuri re se 90% e holandezëve që tymosin hashash konsumonin po aq ose pak më shumë se sa përpara pandemisë. Treçereku tymosnin çdo ditë.

Prej vitit 1976 Holanda toleron tymosjen e hashashit dhe produkteve të tjera me efekte psikotike të cilat mund të merren nëpër lokale.

Në Hagë, qytetin bregdetar ku ka selinë qeveria qendrore, ndodhen të paktën 30 bare të tilla.

Zakonisht në kafenetë e kanabisit përpara pandemisë kishte 300-350 klientë në ditë, ndërsa tanimë numri ka shkuar në rreth 500.