
Historia e vëllezërve Balla, nga ëndrra për cirkun te shkëlqimi në America’s Got Talent
Dy emra që ecnin në skenën e Cirkut Kombëtar, Arnold dhe Artan Balla, kanë shkëlqyer në “America’s Got Talent”, duke çuar peshë një juri dhe publik të tërë.
Po nga e ka pikënisjen e gjitha kjo zhurmë e fituar në atë skenë madhështore?
Gjithçka nisi brenda mureve të shtëpisë, ku si fillim u spikat Artani, vëllai i vogël 6-vjeçar, me ushtrime akrobate në mënyrë autodidakte.
Ishte babai ai që insistoi që kjo dhunti e shfaqur të shkonte diku tjetër, në këtë rast në Cirkun Kombëtar.
Pak kohë më vonë, për shkak të moshës së vogël, Artanit i duhej një shoqërues me vete.
Shoqëruesi rezultoi të mos jetë vetëm për rrugën deri në cirk, por edhe për shfaqjet në vazhdim.
Pasioni ishte vënë re edhe tek Arnoldi, kështu që edhe ai u provua në këtë fushë.
Për të ishte akoma më e vështirë pasi nisi në moshën 13-vjeçare, moshë kjo ku kockat kanë marrë një formë jo më aq të përshtatshme sa për të nisur akrobaci të tilla.
Kjo deri diku ishte një pengesë për vëllain e madh, pasi e shihnin me skepticizëm.
Tiparin e familjes, për tu shkuar gjërave deri në fund Arnoldi e tregoi edhe këtu.
Njerëzit që i thonin se nuk do mund të bëhej, kohë me vonë e duartrokitën si publik.
Familja ka qenë gjatë gjithë kohës mbështetje e madhe për të dy ata, duke i ndihmuar edhe me bazën materiale pasi le të themi se cirku gjatë këtyre kohëve nuk ka qenë në kohën e tij të shkëlqimit.
“Balla Brothers” u bë një ekip i pandashëm që ngjallte interes te publiku në mënyrë konstante.
Ata përveçse në evente të ndryshme në Shqipëri, kanë marrë pjesë edhe në evente ndërkombëtare.
Pas Evropës, emri i tyre do të dëgjohej edhe në Amerikë, në vitin 2019, nga ku ata do të merrnin një ftesë për të qenë pjesë e audicioneve të “America’s Got Talent” .
Pandemia u bë shkak që e gjitha kjo të shtyhej dhe shfaqja e tyre të datonte në një tjetër vit, në 2022.
“Balla Brothers” janë të parët shqiptarë pjesëmarrës në këtë show dhe si të tillë ata donin të përfaqësonin denjësisht jo më vetëm njëri-tjetrin, por vendin nga vinin.
Numri i përgatitur për 6 vite me radhë u përqafua nga publiku dhe juria, ku përveç duartrokitjeve ata fituan edhe tre “PO” për të kaluar në fazën tjetër, ndër ta edhe buzëqeshjen e Simon Cowell, i cili njihet si më i rrepti në juri.
Vëllezërit shqiptarë ngjallën interes edhe në median e huaj, të cilët ishin të interesuar të dinin si arritën ata të dy nga një vend i vogël, të ngjiteshin të një talent show të atyre përmasave.
Me modestinë dhe mirënjohjen karakterizuese, vëllezërit Balla treguan se fillimisht ata u janë përgjigjur shqiptarëve të tyre.
Për Arnoldin dhe Artanin nuk ka shumë rëndësi rezultati i vazhdimit në atë show.
Për ta fitorja më e madhe është arritur, duke filluar nga pranimi në audicione e deri te dashuria e fituar nga publiku që për ta është kryesorja.
Vëllezërit kanë zbuluar që numri i radhës ka të bëjë me thika dhe zjarr.
Pavarësisht se si shkon rrugëtimi i tyre, talente të tilla që dalin nga një vend i vogël si i yni dhe shkëlqejnë nëpër botë, duhen mbështetur në çdo moment.
*Tibo News