Historia e vajzës shqiptare që theu rekordin në qytetin italian me të gjitha 10-ta

Samantha Gieci është vajza me origjinë shqiptare e cila jeton në Itali dhe historia e jetës së saj është publikuar në median prestigjioze italiane. Një nxënëse ekselente me të gjitha 10-ta, me një bursë në liceun Canova në Treviso dhe me një stazh që ka nisur në bashki.

“Babai im erdhi me varkë deri këtu, gjithçka ua dedikoj prindërve të mi. Kur babai im mbërriti në Itali, ai nuk dinte italisht. Problemi më i madh për të, në fillim mendoj se ishte pikërisht ky. Nga ana tjetër mua më ka pëlqyer gjithmonë dhe kam qenë gjithmonë e zonja për të mësuar”.

Sot, babai i saj Agimi i larguar nga bregdeti i Durrësit në vitin 1991, me gjasë e ka fiksuar fjalën krenari në italisht, pasi vajza e tij Samantha është e vetmja nxënëse e gjimnazit Canova që ka thyer rekord, duke u vlerësuar me notën absolute 10 në të gjitha lëndët.

Në Veneto, të rinjtë që arrijnë një moment historik të ngjashëm mund të numërohen në gishtat e njërës dorë, dhe kjo është edhe më e rrallë në tavolinat e shkollës së mesme të Trevisos, një nga më të kërkuarit dhe më të njohurit në Veneto.

Në zyrat e shkollës flitet se sigurimi i bursës në Canova është një gjë e rrallë dhe Samantha është vërtetë një nxënëse ekselente që e meriton. Një arsye mund të jetë vendosmëria e saj, dhe përkushtimi i vajzës së lindur 17 vite më parë nga dy prindërit shqiptarë, e sigurisht sakrifica e familjes.

 “Unë i di sakrificat që kanë bërë prindërit e mi, mendoj se duhet t’i shpërblej”, ishin fjalët e Samanthas duke shtuar: “Unë besoj se nëse prindërit ju japin gjithçka, ju japin mundësinë të shkoni në shkollë dhe të punoni shumë, është e rëndësishme të studioni seriozisht. Më vjen keq t’u shkaktoj atyre shqetësime të mëtejshme në shkollë, gjithmonë kam preferuar t’ia dal vetë dhe të mos i përfshij ata në gjëra që lidhen me shkollimin tim”.

Rezultatet e saj bënë që edhe kryebashkiaku i Trevisos, Mario Conte ta komplimentonte duke thënë:

 “Është ndjesi shumë e mirë kur kemi të bëjmë me një nxënës me rezultate të shkëlqyera, Samantha shpërbleu përpjekjet e familjes së saj”. Samantha ka siguruar një stash pune në bashki që u ofrohet nxënësve ekselentë e që në atë qytet janë tepër të rrallë.

Prindërit e Samantës, Agim Gjeci dhe Klotilda Koni, janë me origjinë nga Durrësi: babai Agimi ishte ndër të parët që u largua në fillim të viteve nëntëdhjetë për të zbritur fillimisht në brigjet e Pulias dhe më pas në Treviso, ku ka punuar si mekanik-saldator për disa vjet. Pikërisht baba Agimit i dedikohet edhe dëftesa me të gjitha 10-ta.

“Besoj se për prindërit e mi problemet e para ishin gjuha dhe integrimi. Babai im kishte disa miq këtu që ishin shpërngulur tashmë, por në fshatin prej nga vinte ishte ndër të parët që u largua dhe filloi jetën nga e para. E imagjinoni sa e vështirë është të gjesh punë dhe miqësi, me njerëz të rinj në Itali dhe të afërmit atje në Shqipëri”.

Duke menduar për të ardhmen e saj, Samantha ëndërron një diplomë në Arkitekturë, Inxhinieri “ose ndoshta pedagoge, kush e di”. Më mirë greqisht apo latinisht?

Por Samantha nuk i përbuz as matematikën dhe fizikën: “Nuk kam asnjë problem. Më magjepsin”.

Për çdo kritikë, Samantha i përgjigjet pa më të voglin hezitim: “Mendoj se jam pak më e pjekur se moshatarët e mi. Disa mund të thonë se nuk po e shijoj plotësisht jetën, por nuk mund të jem ndryshe. Prindërit e mi nuk më kanë ndaluar kurrë asgjë, por mendoj se është e rëndësishme të përfshihesh në shkollë, edhe në një kohë kur të jesh mediokër duket thuajse një modë. Por unë s’jam e tillë. Dhe prindërit më kanë lënë gjithmonë të lirë”.

*Tibo News.