
Historia e Shën Valentinit nuk është edhe aq romantike, ç’thonë legjendat
Prej vitesh Shën Valentini është kthyer në ditën simbol të dashurisë, por historia e vërtetë është ndryshe. Origjina e ditës së Shën Valentinit, ose Saint Valentine e ka zanafillën nga festivali i lashtë romak Lupercalia, që u mbajt në mesin e muajit shkurt.
Festivali lidhej me pjellorinë tek gratë dhe përfshinte një rit, sakrificën e një dhie dhe një qeni nga priftërinjtë të njohur si Lupercis.
Pasi vriteshin kafshët, Lupercis, një i zgjedhur nga priftërinjtë, vraponte dhe godiste gratë që i afroheshin atij me pjesët e trupit të kafshëve. Ky rit mendohej se i bënte gratë shumë pjellore.
Në fund të shekullit VI, Papa Gelasius e shndërroi këtë festival në diçka komplet tjetër. E vërteta dhe detaje të tjera nuk dolën dhe nuk u faktuan kurrë për të mbështetur gjithë teorinë, edhe pse shumica e studiuesve ranë dakord se ky rit ka ekzistuar në të vërtetë.
Pasi Papa Gelasius i dha fund traditës së Lupercalia-s dhe kërkoi që të mos rikthehej e përmendej më, dita e festivalit, 14 Shkurt, u njoh si dita e Shën Valentinit.
Në fakt ka më shumë sesa një Shën Valentin. Falë një vepre të njohur si Acta Santctorum, pjesë e një enciklopedie me 68 vëllime mbi jetën e shenjtorëve të krishterë, botuar në shekullin 17, u zbulua se janë tre Saint Valentine, pra tre Shën Valentinë. Është rastësi fakti se dy nga ata vdiqën me datë 14 shkurt, më saktë u ekzekutuan në shekullin e tretë, E.S gjatë sundimit të perandorit romak Claudius Gothicus.
Lind natyrshëm pyetja: Kush ishin tre burrat e njohur si Shën Valentini? Njëri prej tyre ishte një prift në Romë, njëri u martirizua pasi shkoi në Afrikë dhe i treti një peshkop nga Terni. Sipas një legjende, Shën Valentini kryente martesa të krishtera fshehurazi, në një epokë kur Perandori e kishte ndaluar. Kur u zbulua se çfarë bënte prifti i Romës, ai u burgos dhe më pas u vra.
Një tjetër legjende tregon se Shën Valentini ishte një i burgosur në pallatin e Perandorit dhe aty ra në dashuri me vajzën e tij. Para se të vritej ai la një letër ku shprehte ndjenjat për vajzën e Perandorit. Me kalimin e viteve dhe e studiuar nga romanticienët letra e tij e dashurisë u konsiderua më e ndjera e shkruar ndonjëherë. Kështu Shën Valentini u kthye në simbolin e dashurisë dhe dita kur ai u vra, më 14 shkurt u quajt dita e Shën Valentinit, ose dita e dashurisë.
Se kë nga legjendat të besoni është e lirë, por një gjë dihet: Dashuria ekziston vërtetë.