Historia e një familje në Ukrainë mbi gjithçka po ndodh atje

Nga 7 vendet ku ka jetuar biznesmeni britanik Daniel Williams, 45 vjeç, Ukraina iu duk më mikpritësja.

Dy vite më parë ai u shpërngul me gruan e tij ukrainase në një lagje të pasur të Kievit, plot me restorante dhe lokale luksozë. Po në Kiev ai u bë baba i një vajze e cila tani është tre muajshe e gjysmë.

Javën e kaluar, si të gjithë shtetasit britanikë në Ukrainë, u këshillua nga qeveria e tij që të largohej menjëherë nga Ukraina, dhe të mos llogariste asnjë ndihmë për evakuimin në rast të një pushtimi të mundshëm rus.

Ndërsa Rusia mohon se planifikon një sulm, vendet perëndimore akuzojnë Moskën për përgatitjen e një ndërhyrjeje duke grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufirit ukrainas.

Williams e mori seriozisht këshillën për t’u larguar, por nuk i pëlqente fakti të zhvendosej edhe njëherë diku tjetër, e të përfshinte familjen në një situatë kaotike. Ai rrëfen se planet e tij të largimit varen vetëm nga shkalla e një konflikti të mundshëm.

“Nëse ka një pushtim, a është një inkursion i vogël në Ukrainën Lindore? Apo do të pushtojnë në shkallë të plotë Ukrainën duke u përpjekur të marrin kryeqytetin e Kievit?” Kjo është pyetja që Williams shtron në një intervistë për Reuters.

Nëse do të ishte kjo e fundit, Williams me siguri do të largohej: “Në këtë rast unë padyshim nuk dua të jem më në Kiev.

Për momentin, familja Williams ka bërë gati valixhet për t’u nisur në një udhëtim në pjesën perëndimore të vendit. Ai ka menduar të largohet nga Ukraina përmes Polonisë në rast lufte dhe nëse rruga për në Britani ndërpritet.

Shumica e vendeve perëndimore i kanë këshilluar shtetasit e tyre që të largohen menjëherë nga Ukraina ose të anulojnë planet e udhëtimit atje. Shumë prej tyre i kanë tërhequr diplomatët. Disa vende, duke përfshirë Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara, zhvendosën stafin e ambasadës nga Kievi në Lviv në Ukrainën perëndimore, më larg kufijve me Rusinë.

Që nga e mërkura, shumica e linjave ajrore ruajtën fluturimet e planifikuara për në Ukrainë, megjithëse disave iu desh të zhvendosnin avionët jashtë vendit me kërkesë të pronarëve  për shkak të rritjes së rrezikut ushtarak.

“Këshilla është të largoheni nga Ukraina, por kjo nuk është praktike për njerëzit si unë dhe të tjerët që kanë familje, punë, investime dhe prona e gjëra të tjera këtu,” thotë Williams, teksa mbyll një nga çantat me lodra prej pelushi të vajzës Sophia.

Williams thotë se do i vinte shumë keq nëse do duhej të largohej nga Ukrainë, për të cilën thotë se është vendi ku është mirëpritur dhe ndjerë si në shtëpinë e tij. Ai kujton teksa mori një mik nga Britania në Kiev kohët e fundit dhe me të kishin dalë për të shijuar  ushqim të këndshëm dhe pije të lira.

“Është sikur të jesh në Paris, por pa shpenzime dhe kosto të mëdha. Ky është një qytet i bukur. Unë e dua këtë vend. I dua njerëzit këtu. Ne ishim shumë, shumë të lumtur këtu. Dhe po, nëse rusët heqin dorë dhe nuk pushtojnë, ne do të vazhdojmë të jetojmë shumë të lumtur këtu”.