
Hapet tuneli i Llogarasë, por kur do jetë gati për makinat?
Tuneli i Llogarasë do të jetë në funksion të plotë për qarkullimin e mjeteve në 1 qershor 2024. Këtë ka njoftuar ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë një inspektimi me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Punimet ende vijojnë, ndërkohë që makineritë kanë mundur të kryerjen çarjen në anën tjetër të malit që përmes një ure do të lidhet me Palasën.
Kompanitë të cilat punojnë në këtë aks janë shqiptarë dhe turq, ndërsa supervizori grek. Për Kryeministrin dhe kjo është një arritje e këtij investimi që bën bashkë dy shtete që janë në mosmarrëveshje historike mes tyre.
Vlera e këtij investimi thuhet të jetë 142 milionë euro. Kalimi në tunel do jetë me pagesë dhe mund të përshkohet në vetëm 7 minuta, duke shkurtuar ndjeshëm distancën me plazhet e jugut të vendit. Qeveria parashikon që bashkë me aeroportin e Vlorës, tuneli do t’i japë një tjetër hov zhvillimit të turizmit në këtë zonë.
*Tibo News