Hapet kufiri me Greqinë pas grevës dy ditore të punonjësve

Pas grevës dy ditore, pala greke ka rinisur punën në Pikën Kufitare të Kapshticës prej orës 05:30 të mëngjesit të sotëm. Megjithatë greva e zhvilluar prej 48 orësh pritet të ketë impakt me fluksin e shtuar të lëvizjeve. Nga ana shqiptare raportohet për radhë kilometrike kryesisht me kamionë.

Radha thuhet të ketë arritur deri në 3 kilometra, ndërsa disa prej drejtuesve thonë se po presin të kalojnë prej orës 4 të mëngjesit.

Këto vonesa shkaktohen kryesisht nga fluksi i lartë, por edhe nga kryerja e procedurës së skanimit për çdo mjet transporti.

Ndërsa sa i përket lëvizjeve të mjeteve të vogla drejt Greqisë nuk hasen problematika.

Edhe në Doganën e Kakavijës nisi puna sot prej orës 7:00 të mëngjesit.