
Hapen klubet e natës, hiqen maskat. Vendimet e ekspertëve për situatën me Covid
Duke filluar nga 1 maji, maskat nuk do të jenë më me detyrim, klubet e natës do të rihapen ndërsa muzika do të lejohet edhe pas orës 23:00.
Këto janë vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve të njoftuara të martën.
Ndërkaq, për të gjithë shtetasit që hyjnë në territorin shqiptar, nuk do të kërkohet dokumenti i vaksinimit apo i testimit me rezultatin negativ ndaj virusit, si dhe çertifikatë shërimi nga Covid.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli rekomandoi vaksinimin me dozë të kartërt për qytetarëve mbi 60 vjeç dhe atyre me sistem imunitar të kompromentuar sipas rekomandimit të mjekut të familjes.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino gjithashtu vuri theksin tek rëndësia e vaksinimit anticovid.
Aktualisht në vend janë mbi 430 raste aktive, 15 raste për 100 mijë banorë. Edhe rastet e hospitalizuara, kanë pasur një trend shumë herë më të ulët krahasuar me javët pararendëse.
Sa iu përket vaksinave, në Shqipëri kanë ardhur mbi 3 milionë doza vaksine, 87% e të cilave janë përdorur. Vaksina më e përdorur në vend është vaksina Pfizer, e ndjekur nga Coronavac dhe AstraZeneca. Përsa i përket mbulesës vaksinale, Shqipëria ka një mbulesë mbi 60.8% me të paktën një dozë për popullatën target.
*Tibo News.