‘Halle halle kjo dynja’, Spiropali ironizon Bashën për çështjen McGonigal

Çështja McGonigal dhe dënimi i këtij të fundit nga drejtësia amerikane ka marrë vëmendje të madhe nga politika shqiptare. Lulzim Basha ka deklaruar se është i bindur që kjo çështje nuk është mbyllur me dënimin e tij, por që në dritë kanë dalë të dhëna të tjera lidhur me qeverinë Rama, të cilat do të dërgohen në SPAK.

Basha tha: “Duart e McGonigal gjenden edhe në aferën e inceneratorëve. Pagesat dhe shpërblimet ndaj tij janë shumë herë me shumë se sa kanë dalë në publik. Prandaj kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq”.

Por ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali në një koment në rrjetet sociale ironizon Bashën duke thënë se ‘Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut se “bomba McGonigal” në Amerikë do hidhte në erë “regjimin monist” të Edi Ramës në Tiranë’…

Postimi i Spiropalit:

“Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut se “bomba McGonigal” në Amerikë do hidhte në erë “regjimin monist” të Edi Ramës në Tiranë! Por halle halle kjo dynja halli hallit nuk i ngja!

Sipas ministres se dënimi i McGonigal nuk ka lidhje me pretendimet e Bashës se ish-agjenti i FBI ka punuar kundër tij. Dhe se pavarësisht pritshmërive të Bashës dhe Berishës për çështjen McGonigal, Tiranën e vizitoi vetë sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

“Paratë ruse me të cilat financove çadrën e lirisë dhe e damkose PD-në në raportet serioze amerikane ishin para ruse, janë para ruse dhe do të mbeten para ruse! S’ka ëndërr që të shpëton nga hija e atij pazari të pisët në dëm të Shqipërisë dhe s’ka shqiptar që të beson më kur zgjohesh nga gjumi”.